Rreth Nesh

“Shëndet për të Gjithë” (Health for All Project/HAP) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që po zbatohet në Shqipëri që prej vitit 2015 me qëllim përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor për popullsinë shqiptare në përgjithësi dhe për grupet e cenueshme në veçanti.

Projekti ka kaluar nëpër tre faza zbatimi: faza e parë u zbatua nga një konsorcium i përbërë nga tre organizata – Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale, Save the Children, Terre des Hommes – dhe u finalizua më 31 mars 2019. Faza e dytë e projektit u zbatua në afatin kohor prill 2019 – mars 2023 nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale. Tashmë, projekti ka hyrë në Fazën e Konsolidimit, që pritet të mbyllet në mars të vitit 2027 dhe vazhdon të zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale. Në Shqipëri projekti menaxhohet nga Qendra HAP. Njësia zbatuese e Projektit drejtohet nga një ekspert ndërkombëtar dhe përbëhet nga një ekip specialistësh vendas me përvojë të gjatë në fushën e shëndetësisë dhe në menaxhimin e projekteve të tilla me shkallë të gjerë veprimi.

Gjatë periudhës 2015-2023, Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për fuqizimin e shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor (KShP) dhe përmirësimin e aksesit të popullsisë në shërbime bazë , fillimisht në qarkun e Dibrës dhe Fierit dhe më tej në gjashtë qarqe të tjera: Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Elbasan dhe Korçë.

Është mbështetur në vazhdimësi edukimi në vazhdim i mjekëve dhe infermierëve të familjes dhe janë zbatuar me sukses mekanizma novatorë të zhvillimit profesional për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të KShP-së. Është fuqizuar roli i infermiereve në ofrimin e shërbimit të KShP-së dhe kanë filluar të jetësohen forma të reja të shërbimeve të kujdesit në banesë për të sëmurët kronikë të invalidizuar. Gjithashtu, janë kryer investime madhore për rehabilitimin e infrastrukturës dhe janë siguruar pajisjet dhe mobiljet bazë.

Në këtë fazë të tretë të Konsolidimit të arritjeve, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) do të përqendrohet tek përshkallëzimi i qasjeve të miratuara të kujdesit shëndetësor, si psh kujdesi në banesë, protokollet e reja të mjekimit të të sëmurëve kronikë, kujdesi për të moshuarit dhe pacientët me çrregullime të shëndetit mendor, funksionimi i qendrave socio-shëndetësore, ngritja e kapaciteteve nëpërmjet grupeve të kolegëve për KShP-në, etj.

Puna e ekipit të projektit do të kanalizohet në arritjen e dy rezultateve kryesore:
Rezultati 1: Autoritetet Kombëtare Shëndetësore të drejtojnë dhe menaxhojnë më me efikasitet dhe efektshmëri shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit në banesë.
Rezultati 2: Qytetarët të kenë akses dhe të përdorin me efikasitet shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor dhe kujdesit në banesë me cilësi të përmirësuar.

Rezultatet e Pritshme

Zbatim i modeleve të reja të Kujdesit Shëndetësor Parësor

Forcim kapacitetesh për institucionet qendrore

Përditësim kurrikule mbi kujdesin për të moshuarit

Përgjegjësia shoqërore dhe advokacia

Zgjidhje shëndetësore digjitale

Shtrirja gjeografike e protokolleve dhe udhëzuesve klinikë për SJT

Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor në banesë

Kujdesi në banesë për grupet e cenueshme