Kujdesi në banesë për grupet e cenueshme

Gjithëpërfshirja është një nga parimet e rëndësishme që HAP ka mbajtur në vëmendje gjatë hartimit dhe pilotimit të shërbimeve të kujdesit në banesë bashkë me partnerë të tjerë në fushën e shëndetit. Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është që të identifikojë dhe të arrijë pacientët më të cenueshëm që nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar.

Rritja e qasjes ndaj shërbimeve në kujdesin parësor dhe ofrimi i tyre për grupet e cenueshme të popullsisë është një nga objektivat e Fazës së Konsolidimit. Si rregull, grupet e cenueshme të popullsisë janë pacientët e invalidizuar për shkak të një sëmundjeje kronike që e kanë të pamundur të dalin nga shtëpia, të moshuarit e invalidizuar dhe/ose personat që jetojnë vetëm, pacientët e prekur nga çrregullime të shëndetit mendor, gratë dhe fëmijët që vijnë nga familje të varfra, etj.

Për t’i identifikuar me kujdes dhe për t’i përfshirë këta individë të cenueshëm në shërbimet e ofruara, HAP do të bashkëpunojë ngushtë me ofruesit e kujdesit shëndetësor në komunitetet rurale dhe urbane, me bashkitë, organizatat e shoqërisë civile (OShC) dhe organizatat e pacientëve. Aktivitetet e parashikuara, të frymëzuara nga parimi “askush të mos mbetet pas”, mund të përmblidhen si vijon:
– të kontribuojë për forcimin e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit midis shërbimeve sociale në nivel bashkie dhe OShC-ve për të identifikuar në kohë reale anëtarët e komunitetit që kanë rrezik më të lartë për cenueshmëri dhe përfshirja e këtyre kategorive në planet sociale që hartohen në nivel vendor.
– të bashkëpunojë dhe mbështesë OShC-të vendore me qëlllim që të identifikohen më mirë individët e cenueshëm dhe t’u ofrohen shërbimet plotësuese që kanë si synim përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës.
– mbështetje për përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve dhe cilësisë së tyre për të moshuarit nëpërmjet trajnimeve të mjekëve (MF) dhe infermiereve të familjes (IF) për zbatimin e Manualit të kujdesit mjekësor për të moshuarit në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP) të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS).
– mbështetje për përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve dhe cilësisë së tyre për pacientët me çrregullime të shëndetit mendor nëpërmjet trajnimeve të MF, IF dhe profesionistëve psiko-social në KSHP për zbatimin e Udhëzuesit të menaxhimit të çrregullimeve të shëndetit mendor në KSHP, miratuar nga MShMS.