Zgjidhje shëndetësore digjitale

Zgjidhjet digjitale ofrojnë mundësi të shumta për ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe përdoruesit e shërbimeve, duke sjellë njëkohësisht sfida, kërcënime dhe realitete të reja të sistemit dhe të shërbimeve shëndetësore.

HAP ka pilotuar dhe testuar sistemin e caktimit të vizitave te mjeku i familjes (MF) në dy qendra shëndetësore duke synuar konsultat për pacientët e prekur nga sëmundjet jo të transmetueshme (SJT), fëmijët dhe gratë shtatzëna. Në vijim, HAP do të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorin, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, institucionet akademike dhe urdhrat/shoqatat e profesionistëve për të planifikuar, zhvilluar dhe zbatuar zgjidhjet digjitale të propozuara në takimet konsultuese. Projekti do të mbështesë:

– Shtrirjen e mëtejshme të sistemit të caktimit të vizitave te MF me qëllim që të ofrohen konsulta më të përgatitura, pacientët të presin më pak, dhe puna ditore e MF dhe Infermierit të Familjes (IF) të jenë më të strukturuara.
– Digjitalizimin e protokolleve të SJT-ve në formën e algoritmeve apo aplikacioneve digjitale që lehtësojnë vendim-marrjen klinike nga ana e ekipit të mjekësisë familjare.
– Zhvillimin e telekonsultave për të lehtësuar ndërveprimin e mjekëve të familjes me pacientët e tyre dhe mjekëve të familjes me mjekët specialistë në spitalet rajonale ose në Qendrën Spitalore Universitare.
– Zhvillimin e kapaciteteve për aktivitete të edukimit në vazhdim në distancë për të mbështetur ofrimin e kujdesit në banesë, zbatimin e protokolleve për SJT-të, funksionimin e grupit të kolegëve etj.
– Zhvillimin e zgjidhjeve të tjera digjitale në mbështetje të kërkesave të institucioneve partnere.