Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor në banesë

Gjatë Fazës së Dytë, Projekti HAP pilotoi me sukses një model të ri të kujdesit shëndetësor në banesë (KSHB) në nëntë qendra shëndetësore në rajonet Fier dhe Dibër. Ky model synon ridimensionimin e KSHB-së duke mundësuar shërbime shëndetësore të planifikuara që ofrohen nga infermieret në konsultim me mjekët e familjes. Popullata e synuar janë të moshuarit dhe pacientët me një shkallë të lartë varësie të përkohshme apo të përhershme që vuajnë nga një sëmundje kronike në faza të avancuara. Përveç shërbimeve të kujdesit shëndetësor, infermieret identifikojnë edhe raste që përkojnë me shërbimin social tek familjet e pacientëve, për të cilat, kur lind nevoja, informojnë shërbimin përkatës në nivel bashkie.

Në bazë të rezultateve të kësaj ndërhyrjeje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) vendosi që këto shërbime të shtrihen në 49  QSH të tjera  (KShP) të lokalizuara në gjashtë Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh): Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat.

Në këtë kuadër, projekti HAP vazhdon të bashkëpunojë ngushtësisht me Operatorin dhe NjVKSh-të për zbatimin  e kujdesit shëndetësor në banesë duke ofruar mbështetje për aktivitetet e mëposhtme:

– Shtrirjen e modeleve të miratuara dhe të testuara të kujdesit shëndetësor në banesë në të paktën gjashtë rajone të Shqipërisë.

– Identifikimin e pacientëve që përmbushin kushtet për të marrë shërbime të kujdesit shëndetësor në banesë

– Mbështjetje teknike për forcimin e aftësive klinike të infermiereve që ofrojnë këto shërbime

– Vënien në dispozicion të kurrikulës së trajnimit si dhe të dokumenteve të tjera teknike me qëllim standardizimin dhe dokumentimin e zbatimit e të këtyre shërbimeve

– Ngritjen e Grupeve të Kolegëve me qendër kujdesin shëndetësor në banesë

– Monitorimin e zbatimit të kujdesit shëndetësor në banesë

– Furnizimin me pajisje mjekësore dhe paramjekësore të nevojshme gjatë ofrimit të shërbimeve të kujdesit në banesë.

– Trajnimin e profesionistëve të rinj që do të jenë pjesë e kujdesit të integruar shëndetësor dhe social, si punonjësit socialë, psikologët etj.

– Nxitjen e aktiviteteve të promocionit shëndetësor që zhvillohen nga mjekët dhe infermieret e familjes për pacientët që e kanë të pamundur të dalin nga shtëpia.

– (në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile) Vlerësimin periodik të kujdesit në banesë, kënaqësisë së pacientit dhe cilësisë së jetës për të dokumentuar dhe vërtetuar përvojat e përftuara gjatë zbatimit.