Studimi i aksesit në kujdesin shëndetësor nxori në pah disa faktorë që ndikojnë në aksesin e popullatës në marrjen e shërbimeve shëndetësore: 1) kufizimet financiare, 2) kushtet shëndetësore të dobëta dhe pamundësia për të shkuar në qendrën shëndetësore; 3) largësia nga qendrat shëndetësore dhe kostot e transportit; 4) mungesa e besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor; 5) kufizimet në punë ose pamundësia për t’u larguar nga puna.  Këta faktorë ndikojnë më tepër te kategori veçanërisht të cënueshme, si: të moshuarit me lëvizshmëri të kufizuar në komunitet, individët me handikap mendor që jetojnë të izoluar në familjet e tyre, ose kategori të tjera të pacientëve me lëvizshmëri të kufizuar dhe së fundi qytetarë shumë të varfër dhe të margjinalizuar. Për këto dhe kategori të tjera të pacientëve, është i nevojshëm organizimi i shërbimeve në familje, me qëllim shmangien e përjashtimit të tyre nga mbulimi i shërbimeve shëndetësore.

HAP-2 do të ofrojë ekspertizë teknike për krijimin e një modeli të kujdesit në familje, i përshtatur me situatën e zonave rurale dhe urbane të Shqipërisë. Modeli i propozuar do të diskutohet, do të krijohet dhe do të dakordësohet në bashkëpunim të ngushtë me MSHMS-në, personelin e KSHP-së, urdhrat dhe shoqatat profesionale, autoritetet vendore shëndetësore, NJQV-të, dhe OJF-të, që përfaqësojnë interesat e pacientëve dhe të konsumatorëve. Modeli i kujdesit në familje duhet të jetë i përshtatshëm dhe të pranohet nga personeli i KSHP-së, veçanërisht nga infermierët që funksionojnë në nivel komuniteti.