Gjatë fazës së parë të Projektit janë investuar mbi 3.3 Milionë Euro për rindërtimin e 16 qendrave shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor. Gjatë fazës së dytë, HAP dhe partnerët shqiptarë do të mbështesin hartimin dhe zbatimin e një mekanizmi planifikimi me pjesëmarrjen e Njësive Vendore, autoriteteve shëndetësore vendore dhe rajonale, Fondit dhe OJF-ve. Ky mekanizëm ndër të tjera do të mundësojë: 1) plane vendore për rehabilitimin e infrastrukturës; 2) përgjegjësitë financiare të aktorëve të ndryshëm, si NJQV-të/HAP-i/të tjerë, që do të mundësonin një qasje bashkëfinancuese; 3) modalitetet e mirëmbajtjes së infrastrukturës me përgjegjësi të qarta.

Më konkretisht, HAP do të: përvijojë, dakordësojë dhe zbatojë skemat e bashkëfinancimit për investimet në pajisje dhe infrastrukturë në nivel bashkie; mbështesë hartimin dhe monitorimin e planeve vjetore, që përcaktojnë përparësitë shëndetësore dhe ndërhyrjet në nivel vendor, me në qendër infrastrukturën dhe mirëmbajtjen; promovojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e qytetarëve në diskutimin e problemeve të kujdesit shëndetësor në nivelin e KSHP-së dhe nivelin bashkiak dhe advokojë dhe promovojë alokimin e burimeve financiare për praktikat e mirëmbajtjes në nivel vendor.