Menaxhimi i rasteve të urgjencës është një pjesë integrale e kujdesit shëndetësor parësor. Duke qenë kontakti i parë, sidomos ata që punojnë në qendra shëndetësore 24-orësh, stafi i kujdesit parësor mund të hasi në lloje të ndryshme emergjencash: që nga ataku në zemër te koma diabetike, te lëndimet prej aksidenteve rrugore apo atyre në vendin e punës, te alergjitë nga ilaçet, bimët apo kafshimet e kafshëve. Njohuritë e përditësuara, aftësitë komunikuese dhe procedurale, si dhe ato organizacionale janë thelbësore kur bëhet fjalë për shpëtimin e një jete. Për fat të keq, shumëllojshmëria e problemeve, mungesa e pajisjeve dhe trajnimet e vazhdueshme, e bëjne të vështirë për stafin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri që të jenë të përditësuar dhe kompetent në dhënien e ndihmës së parë para-spitalore.
Në këtë kuadër, HAP po zbaton një plan trajnimesh dhe po pajisë me instrumente bazë stafin e pesë qendrave shëndetësore me shërbim 24-orësh në qarqet Dibër (Klos dhe Maqellarë) dhe Fier (Cakran, Roskovec dhe Patos). Trajnimet fokusohen te vlerësimi i pacientit, menaxhimi i rrugëve të frymëmarrjes, emergjenca kardiake, menaxhimin e traumave dhe urgjencave mjekësore. Këto tema dhe lista e pajisjeve të ofruara reflektojnë gjetjet e një vlerësimi të nevojave të kolegëve të kryer më 2016. Shtatëdhjetë e pesë mjekë familje dhe infermierë, të ndarë në pesë grupe, morën pjesë në trajnimin e parë, i cili u zhvillua në prill-maj 2017 dhe u fokusua te vlerësimi i pacientit. Trajnimet tre-ditore adresuan çështje që lidhen me sigurinë personale, vlerësimin e vendit të aksidentit, vlerësimin e pacientit, anamnezën në kushtet para-spitalore, menaxhimin e rasteve të urgjencës, si edhe procedurat për transportimin dhe referimin e pacientëve te kujdesi spitalor. Një aspekt i rëndësishme i trajnimit ishin edhe seancat e praktikës që shoqëronin pjesën teorike
Pjesëmarrësit shprehën vlerësimin e tyre për trajnimin, programin dhe mënyrën e prezantimit. “Ky trajnim ishte shume i detajuar dhe informues,” tha Dr. Migena Brahimaj, mjeke familje pranë qendrës shëndetësore Patos. “I jam shumë mirënjohëse HAP-it për ofrimin e kësaj mundësie, që është një ndihmë e madhe në përmirësimin e aftësive tona dhe të shërbimit që ju ofrojmë komuniteteve tona.”
Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit marrin një certifikatë dhe 16 kredite nga Qendra Kombëtare për Edukimin në Vazhdim (QKEV)