Një iniciativë që promovon një stiljetese të shëndetshme dhe aktive në tri shkolla të qarkut Dibër dhe tri shkolla në qarkun Fier. Pas një seri tavolinash të rrumbullakëta me përfaqësues të komuniteteve në Burrel, Shupenzë, dhe Kastriot (Dibër) dhe komuniteteve në Fier, Savër dhe Hekal (Fier), Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) filloi në fund të vitit 2016 iniciativën “Shkolla të Shëndetshme” duke krijuar për studentët, prindërit dhe mësuesit e gjashtë shkollave aktivitete që e vinin fokusin te rëndësia e edukimit mbi shëndetit, mirëqenien dhe mirëushqyerjen. Synimi i iniciativës është të krijojë modele shkollash që promovojnë jetën e shëndetshme, duke ofruar edukim shëndetësor për studentët dhe stafin shëndetësor; duke përfshirë zyrtarë të arsimit dhe shëndetësisë, mësues, studentë, prindër, staf shëndetësor dhe udhëheqës të komunitetit në përpjekje për t’i bërë shkollat vende të shëndetshme; promovimi i mjediseve të sigurta dhe të shëndetshme dhe inkurajimi i shkollave për rregulla dhe praktika që mbështesin jetën e shëndetshme.
Në këtë iniciativë, HAP ka pasur një qasje të promocionit shëndetësor pjesëmarrës. Zbatimi i iniciativës ju besua dy organizatave: Together for Life u kujdes për aktivitetet në Dibër, ndërsa Association of Psychosocial Rehabilitation Albania (APRA) ishte në krye të aktiviteteve në Fier. Aktivitetet u dizenjuan pas një seri takimesh me studentët, mësuesit, prindërit, specialistët e promocionit shëndetësor dhe të tjerë anëtarë të komunitetit, të cilët më pas edhe u përfshinë në këto aktivitete. E rëndësishme në këtë iniciativë ishte edhe pjesëmarrja e stafit të Kabineteve të Promocionit Shëndetësor, të cilët ishin një ndihmë dhe udhërrëfyes për këtë iniciativë.
Cilat shkolla ishin pjesë e iniciativës?
Në qarkun e Dibrës fokusi ishte te studentët e shkollave të mesme, 15-18 vjec. Tri shkollat e përzgjedhura ishin: “Pjetër Budi” (Burrel), “Rifat Manjani”(Shupenzë) dhe “Gjergj Kastrioti” (Kastriot)
Në qarkun e Fierit, fokusi ishte te studentët e shkollave tetëvjecare, të moshës 10-15 vjeç: “Azem Quka” (Savër), “Andon Xoxa”(Fier) dhe “Hekal Dervishi”(Hekal).
Çfarë aktivitetesh përfshinte iniciativa?
Studentët, prindërit dhe mësuesit morrën pjesë në aktivitete të ndryshme fizike dhe mendore, nga klasa të edukimit shëndetësor dhe mirëqenies, panairet ushqimore dhe edukimi për mirëushqyerjen, te garat sportive grupet vullnetare të studentëve që pastronin dhe mbronin mjedisin e shkollës.