Më 1 qershor, 2017, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) përfundoi renovimin e tri qendrave shëndetësore në qarkun e Dibrës: Kastriot, Maqellarë dhe Shupenzë. Ndërtesat e rinovuara do të ofrojnë shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor për rreth 24.000 banorët e njësive administrative përkatëse. Një qendër e katërt shëndetësore, në Komsi, është gjithashtu në proces rinovimi dhe shumë shpejt do të hapi dyert për komunitetin.
Rikonstruksioni i këtyre qendrave shëndetësore, në vlerën 326,000 Euro, është financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e qeverisë zvicerane. Rinovimi përfshin punime në çati, dysheme, ndriçim dhe sistemin hidraulik, lyerje, instalim të sistemit të ngrohjes dhe ftohjes, dhe rrethim me mur. Qendrat e rinovuara përfshijne recepsion, zona për pritjen e pacientëve, dhomë mjeku dhe infermieri, urgjencë, magazinë, sallë mbledhjesh dhe tualete.
Shumë shpejt qendrat do të pajisen me tavolina, rafte dhe stola pritje për pacientët. Mjekët e familjes që shërbejnë në këto qendra janë pajisur me çantën e mjekut, që përmban instrumente mjekësore bazë si stetoskopin për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, glukometër, çekiç neurologjik, stetoskop fetal, etj,. Mjekët janë trajnuar për përdorimin e këtyre instrumenteve, të cilat mundësojnë një shërbim në kohë dhe cilësor për pacientët e kësaj zone. Gjithashtu, drejtuesit e këtyre qendrave shëndetësore janë trajnuar mbi menaxhimin shëndetësor dhe ekonomistët mbi financat shëndetësore, buxhetimin dhe prokurimet.
Karakteristikat e secilës qendër
Qendra Shëndetësore Maqellarë—ofron shërbim shëndetësor parësor dhe urgjence 24-orësh, për një komunitet prej 13.800 banorësh. Qendra ka një staf prej tre mjekësh familje dhe 38 infermierë, të cilët punojnë në qendër dhe 19 ambulancat e saj.
Qendra Shëndetësore Kastriot—ofron shërbim shëndetësor për 3625 banorët e komunës Kastriot dhe 14 fshatrave të saj; në të shërbejnë dy mjekë familje dhe 23 infermierë.
Qendra Shëndetësore Shupenzë— një ekip me një mjeku familje dhe 22 infermierë ofrojnë shërbim shëndetësor dhe urgjence 24-orësh për 6170 banorët që mbulohen nga kjo qendër dhe 12 ambulancat e saj.