Anëtarët e Komitetit Drejtues u takuan në Tiranë më 24 tetor 2017, nën drejtimin e Ministres të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ambasadorit të Zvicrës Christoph Graf, për të shqyrtuar zbatimin e planit të punës për gjashtëmujorin e parë të vitit, rekomandimet e Analizës afatmesme dhe planin e punës për pjesën e mbetur të vitit.
Komiteti Drejtues i Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) e mirëpriti progresin e bërë nga projekti për periudhën janar-qershor 2017 dhe mbështeti planin e punës për deri në fund të 2017.
Mes rezultateve të arritura në 2017 spikasin:
- Rehabilitimi i plote i 4 qendrave shendetësore në qarkun e Dibrës (Maqellarë, Shupenzë, Komsi dhe Kastriot)
- 120 mjekë familje në Fier u pajisen me kompjuterë dhe u trajnuan për përdorimin sa më efektiv të tyre;
- 37 koordinatorë lokalë të Edukimit Mjekësor në Vazhdim (EMV) u trajnuan në lidhje me rolet dhe funksionet e tyre dhe standardet e cilësisë së EMV-së;
- 87 profesionistë, menaxherë shëndetësor dhe personel i grupeve të anti-korrupsionit, nga të dyja qarqet u trajnuan mbi anti-korrupsionin dhe integritetin;
- 29 mjekë familje dhe 46 infermierë nga 5 qendra shëndetësore që ofrojnë shërbim 24/7 u trajnuan për menaxhimin e urgjencave shëndetësore;
- 15 specialistët e 5 kabineteve të promocionit shëndetësor në Dibër dhe Fier janë trajnuar për komunikim, facilitim dhe lidership;
- 3020 studentë janë bërë pjesë e fushatës “shkolla të shëndetshme” të zbatuar në tri shkolla të Dibrës dhe tri shkolla të Fierit.
Progres raporti për 2017 u prezantua nga menaxheri i projektit HAP, Dr. Besim Nuri, dhe u mbështet nga anëtarët e Komitetit Drejtues, të cilët gjithashtu përshëndetën punën e mirë të ekipit për zbatimin me sukses të aktiviteteve të projektit.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të institucioneve kyç në sektorin e shëndetësisë, si Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Departamenti i Shëndetit Publik te Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, UNFPA, kryetarja e bashkisë Roskovec, mjekë familje, OJQ lokale, si Zëri i Pacientëve dhe Lidhja e Gazetarëve të Shëndetësisë, si dhe donatorët, të përfaqësuar nga ambasadori zviceran, z. Graf, znj. Debora Kern dhe z. Sokol Haxhiu nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.