Më 15 dhe 16 Shkurt, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Drejt një Kujdesi Shëndetësor të Integruar”, që u mbajt në Prishtinë. Konferenca u organizua nga projekti zviceran Kujdesi Shëndetësor I Qasshëm dhe Cilësor (AQH), I cili synon të përmirësojë performancën e sistemit shëndetësor parësor në të 12 komunat në Kosovë.
Konferenca ndërkombëtare për Kujdesin e Integruar i prezantoi pjesëmarrësit me konceptin e kujdesit të integruar si një mekanizëm për përmirësimin e cilësisë, me folës ndërkombëtar që ndanë eksperiencat e tyre nga ky sektor. Folësit kyc në këtë konferencë përfshinin: Dr. Juan Eduardo Tello, Drejtori i Qendrës Europiane për Kujdesin Shëndetësor Parësor pranë OBSH; Dr. Genc Ymerhalili, udhëheqësi i kujdesit të integruar në projektin AQH; Dr. Victoria Stein nga Fondacioni Ndërkombëtar për Kujdesin e Integruar dhe David Kelly, ish-Drejtor i Partneritetit për Kujdes Shëndetësor në Këshillin e West Lothian (Skoci).
Të pranishëm në këtë konferencë, me mbështetjen e HAP, ishin gjithashtu edhe znj. Alketa Hila, n/drejtore e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) Dr. Aurel Voda, Drejtor i Shëndetit Parësor pranë FSDKSH; znj. Ermira Lula, Drejtore e Departamentit të Financës pranë FSDKSH; Dr. Petrit Dollani, nga Departamenti i Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë dhe Prof.Dr. Besa Shahini, nga Departamenti i Statistikës në Fakultetit e Ekonomisë.
Rreth Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH)
Projekti AQH financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe mbështetë agjendën kombëtare të reformës shëndetësore, duke plotësuar programet e donatorëve tjerë në sektorin shëndetësor. Qëllimi i tij është për të siguruar që të përmirësohet shëndeti i popullatës së Kosovës, me ofrues dhe menaxherë të forcuar të kujdesit shëndetësor, të aftë për të plotësuar nevojat e pacientëve (sidomos grupeve të cenueshme), të cilët do të ishin më të vetëdijshëm për të drejtat dhe nevojat e tyre.