Komsi (Mat)—Të mërkurën, 21 qershor, në përfundim të punimeve rikonstruktuese, Projekti Shëndet për të Gjithë i dorëzoi Drejtorisë së Shëndetit Publik Burrel qendrën shëndetësore Komsi. Rehabilitmi i kësaj qendre shëndetësore ishte rezultat i një marrëveshje midis HAP dhe Bashkisë Burrel. Kjo është qendra e katërt shëndetësore që HAP ka rehabilituar në qarkun Dibër. Në fillim të qershorit përfunduan rikonstruktimet e qendrave shëndetësore të Kastriotit, Maqellarës dhe Shupenzës.
Rehabilitimi i kësaj qendre shëndetësore, me vlerën 60.000 Euros, u financua nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe përfshinte punime për izolimin, çati, dyer dhe dritare të reja, ndriçim dhe sistemin hidraulik, instalimin e sistemit të ngrohjes dhe ftohjes, një dhomë shtesë dhe ndërtimin e një platforme të pjerrtë për të mundësuar kalimin e pacientëve me karrocë.
Në një ceremoni të vogël të mbajtur në qendrën shëndetësore, Dr. Joao Costa, menaxher i projektit HAP, tha se synimi i rikonstruksionit të kësaj qendre ishte përmirësimi i shërbimeve shëndetësore që i ofrohet këtij komuniteti. “Qendra tani ka kushte më të mira pune për stafin dhe ofron një mjedis më të rehatshëm për pacientët,” tha Dr. Costa. Ai gjithashtu theksoi përgjegjësinë e stafit dhe rolin e komunitetit në mirëmbajtjen e qendrës dhe parandalimin e dëmtimit të saj.
Drita Lalaj, drejtore e Departamentit të Shëndetit Publik në Burrel, falënderoi projektin zviceran për kontributin e tyre në Komsi dhe për “vëmendjen e kushtuar në një rajon të harruar nga shumë”, teksa i bëri thirrje stafit që të vazhdonin punën e përkushtuar për ofrimin e një shërbimi shëndetësor sa më cilësor për komunitetin e tyre.
Qendra shëndetësore në Komsi ka një staf prej tre doktorësh dhe trembëdhjetë infermierësh, dhe i shërben një komuniteti prej 6023 banorësh, të cilët jetojnë në njëmbëdhjetë fshatra. Stafi i kësaj qendra është pjesëmarrës aktiv në trajnimet e organizuara nga HAP në tema si: parandalimi dhe kontrolli më i mirë i hipertensionit dhe diabetit, kujdesi për nënën dhe fëmijën, promocioni shëndetësor, roli i infermieres së kujdesit parësor, etj. Të tre doktorët janë të pajisur me çantën e doktorit dhe drejtuesi i kësaj qendre është trajnuar nga Projekti në menaxhim shëndetësor.
Që nga 2016, Projekti Shëndet për të Gjithë, me mbështetjen e SDC, ka rinovuar në total gjashtë qendra shëndetësore në qarqet Dibër dhe Fier: QSH Libofshë dhe Cakran në Fier, dhe QSH Kastriot, Komsi, Maqellarë dhe Shupenzë në Dibër.