Aplikimet do të vijojnë deri në 12 tetor 2018 pranë Sekretariatit Mësimor të Fakultetit të Mjekësisë.
Masteri Profesional në Menaxhim Shëndetësor hapi për herë të parë dyert tetorin e kaluar në sajë të mbështetjes së Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes Projektit Shëndet për të Gjithë (Health for All Project-HAP) dhe bashkëpunimit mes Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Ekonomisë.
Synimi kryesor i masterit është përgatitja e menaxherëve në sektorin e kujdesit shëndetësor përmes kurrikulave të përgatitura në bashkëpunim me ekspertët e Institutit Zviceran të Mjekësisë Tropikale dhe të Shëndetit Publik (Swiss TPH) në përputhje me kontekstin shqiptar.
Mbështetja e deritanishme e Projektit Shëndet për të Gjithë ka konsistuar, ndër të tjera në: përmirësimin e infrastrukturës mësimore përmes rehabilitimit të ambienteve dhe rinovimit të pajisjeve mësimore në Departamentin e Shëndetit Publik; mbështetjen profesionale në zhvillimin e përmbajtjes së materialeve pedagogjike përmes trajnimit të lektorëve, blerjes së librave të referencës, pjesëmarrjes së lektorëve në konferenca shkencore etj.
Një tjetër risi e këtij programi është mbështetja që HAP do të japë për studentët duke mundësuar shpërndarjen falas të materialeve mësimore të printuara përpara fillimit të secilit modul si dhe mbështetja për studentët në zhvillimin e tezës së masterit bazuar në stazh/praktikë mësimore në një organizatë të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.