Trajnimet kaskadë forcojnë aftësitë profesionale të infermierëve në 160 qendra shëndetësore

371 infermierë nga 160 qendra shëndetësore kanë përmirësuar aftësitë e tyre për ofrimin e kujdesit shëndetësor në banesë falë trajnimeve kaskadë të organizuara me mbështetjen e projektit HAP.

Procesi nisi në shtator 2025, kur HAP mbështeti përgatitjen e 60 infermierëve-trajnerë nga katër operatorët rajonalë shëndetësorë të Tiranës, Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës. Trajnimi ndërthuri përvetësimin e Procedurave Standarde Infermierore për kujdesin shëndetësor në banesë me metodologjinë e trajnimit të kolegëve, qasje e nevojshme për ngritjen e mëtejshme të Grupeve të Kolegëve. Për të mbështetur këtë proces, katër operatorët rajonalë u pajisën edhe me nëntë sete simulimi.

Në vijim të kësaj përgatitjeje, 21 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor organizuan në mënyrë të pavarur 27 trajnime të akredituara 4-ditore me infermierë nga 160 qendra shëndetësore, duke përfshirë 95 qendra shëndetësore që nuk mbështeten drejtpërdrejt nga HAP.

Krahas demonstrimeve, ushtrimeve me manekinë, praktikës me njëri-tjetrin dhe lojërave me role, programi ndërthuri njohuritë teorike me situatat që infermierët ndeshin gjatë shërbimit në banesë. Përgatitja për rolin e trajnerit përfshiu gjithashtu udhëzime për zhvillimin e trajnimeve praktike përmes Grupeve të Kolegëve.

Realizimi i këtyre trajnimeve dëshmon potencialin e modelit kaskadë për të zgjeruar jo vetëm njohuritë por edhe bazën e infermierëve të përgatitur për të ofruar kujdes në banesë, duke kontribuuar në ofrimin e shërbimeve të standardizuara dhe cilësore të kujdesit në banesë më pranë pacientëve që kanë nevojë për to.