Vijojnë Trajnimet për Kujdesin Shëndetësor në Banesë

Që prej vitit 2021 HAP po mbështet zbatimin e modeleve të kujdesit shëndetësor në banesë përmes trajnimeve të vazhdueshme të ekipit mjekësor familjar.

Në këtë kuadër, rreth 45 infermiere të Qendrave Shëndetësore Rrethinë dhe Postribë në Shkodër janë trajnuar gjatë muajve maj-qershor 2023 për shërbimin e kujdesit në banesë. Këto trajnime synojnë rritjen e aftësive klinike të infermiereve, me qëllim që ato të vlerësojnë siç duhet nevojat e pacientit dhe të ndjekin trajtimin e tyre në vijimësi.

Konkretisht, infermierët po aftësohen për mjekimin e plagëve kronike, kateterizimin urinar dhe venoz, testin e shpejtë të urinës, kryerjen e EKG-së, lavazhin e veshit, trajtimin e limfedemës, sondimin gastrik, kujdesin për stomat, si edhe këshillimin sesi pacientët të ruajnë lëvizshmërinë, të ushqehen, dhe të dokumentojnë aktivitetin ditor.

Këto trajnime të vazhdueshme janë pjesë e përpjekjeve të HAP për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë mjekët dhe infermierët e familjes në banesat e pacientëve që e kanë të pamundur të vizitojnë qendrat shëndetësore.