Vijojnë trajnimet e mjekësisë familjare për parandalimin dhe kontrollin e SJT-ve

Ekipe të përzgjedhura të mjekësisë familjare në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Shkodër do të jenë pjesë e një serie Trajnimesh-për-Trajnerë në muajt shtator-tetor 2023 lidhur me zbatimin e protokolleve dhe udhëzuesve klinikë për sëmundjet jo-infektive më të përhapura si diabeti, hipertensioni, dislipidemia, astma, dhe SPOK-u.

Trajnimet parashikojnë ofrimin e 20 seancave 6-orëshe mbi “Përdorimin e Protokolleve dhe Udhëzuesve Klinikë për 5 SJT-të” për 60 mjekë dhe infermierë familjeje të 19 qendrave shëndetësore nga qarqet e përmendura, të cilët përzgjidhen nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtorët e QSH-ve përkatëse.

Në përfundim të këtij trajnimi pjesëmarrësit do të aftësohen jo vetëm për zbatimin e protokolleve dhe udhëzuesve klinikë në punën e tyre të përditshme, por edhe për ngritjen e Grupeve të Kolegëve në qendrat shëndetësore përkatëse me qëllim që njohuritë dhe aftësitë e marra t’i kalojnë edhe pjesës tjetër të ekipit të mjekësisë familjare.

Qasja e këtyre trajnimeve është e tillë që vë në qendër punën praktike me rastet klinike duke i shoqëruar ato me materiale të detajuara mësimore. Trajnimet gjithashtu do të përqendrohen tek integrimi i roleve të mjekut dhe infermieres së familjes, tek treguesit e monitorimit për zbatimin e protokolleve dhe udhëzuesve përkatëse, si edhe dokumentimin e rregullt në kartelën e pacientit të kontributeve si të mjekut ashtu edhe të infermieres. Për më tepër, do të ketë seanca të dedikuara për të zhvilluar aftësitë pedagogjike që janë thelbësore për t’i ndihmuar pjesëmarrësit të jenë trajnerë të kolegëve të tyre në vijim të këtij trajnimi.

Këto trajnime të akredituara zhvillohen në kuadër të mbështetjes që HAP po i ofron Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe do të realizohen nga Fondacioni ABC.