Shkëmbim përvojash e praktikash ndërmjet projekteve HAP në Shqipëri dhe AQH në Kosovë

Përfaqësues të sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor dhe të Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP) realizuan një vizitë pune dy-ditore në Prishtinë në datat 7-8 nëntor ku u mirëpritën nga përfaqësues të Projektit “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” (AQH) dhe zv/Ministri i Shëndetësisë së Kosovës.

Vizita synonte që përfaqësuesit përkatës të mësonin më shumë mbi ndërhyrjet e realizuara në kuadrin e dy projekteve me një objektiv të përbashkët – përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Projekti AQH prezantoi arritje të rëndësishme lidhur me paketën e shërbimeve dhe të kujdesit të integruar, menaxhimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, si edhe këshillin e pacientëve. Ndërkaq, Projekti HAP u përqendrua në eksperiencën e zbatimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor në banesë dhe protokolleve të përditësuara të parandalimit dhe mjekimit të sëmundjeve jo të transmetueshme.

Gjatë dy ditëve në Kosovë, Projekti HAP pati mundësinë të vizitonte qendrën kryesore të Mjekësisë së Familjes në Lipjan si qendër e demonstrimit të ndërhyrjeve të sipërpërmendura të AQH-së, përfshirë pilotimin  e telemedicinës në ambulancën e mjekësisë së familjes në Kraishtë dhe përmirësimet e infrastukturës dhe shërbimeve në Qendrën e Mjekësisë së Familjes në Gadimë.

Projekti HAP dhe Projekti AQH po zbatohen përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.