Rindërtohet Qendra Shëndetësore e Zall Mnerit

Banorët e fshatit Zall Mner tashmë do të kenë mundësi të përfitojnë shërbime më të mira shëndetësore falë infrastrukturës moderne të qendrës shëndetësore e cila u rindërtua me investim të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Shëndet për të Gjithë.

Qendra shëndetësore e Zall Mnerit është e treta godinë që rindërtohet nga themelet, pas shkatërrimeve të tërmetit. Dy të tjerat – një qendër shëndetësore në Ishëm (Bashkia Durrës) dhe një tjetër në Borizanë (Bashkia Krujë) – u inauguruan në janar të vitit 2022 dhe tashmë vijojnë punën normalisht duke i shërbyer një popullate prej 12.000 banorësh. Investimi prej rreth 500,000 franga zvicerane i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim për këto godina të qendrave shëndetësore përfshiu projektimin, zbatimin, mbikqyrjen, punimet, mobilimin dhe blerjen e pajisjeve mjekësore bashkëkohore.

Qeveria zvicerane siguroi mbi 9 milion Euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.