Përfundon programi i mentorimit të monitorimit mbështetës për Kujdesin Shëndetësor në Banesë

Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) mbylli me sukses ciklin e mentorimit të monitorimit mbështetës për zbatimin e shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB), duke kontribuuar në forcimin e kapaciteteve të ekipeve monitoruese të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin shëndetësor parësor.

Gjatë periudhës prill–korrik 2026, në bashkëpunim me Ryder Albania, u realizuan 35 vizita monitoruese në qendra shëndetësore të qarqeve Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Shkodër, Elbasan, Lushnjë dhe Dibër. Procesi u mbështet nga konsulentë me përvojë, të cilët ofruan mentorim praktik për ekipet monitoruese gjatë të gjitha fazave të monitorimit: përgatitjes së vizitave, zhvillimit të tyre në terren dhe hartimit të raporteve përfundimtare.

Monitorimi mbështetës u zhvillua mbi bazën e instrumenteve të standardizuara të miratuara për monitorimin e zbatimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë, duke synuar jo vetëm identifikimin e sfidave, por edhe ofrimin e udhëzimeve praktike për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit.

Gjetjet e procesit tregojnë se qendrat shëndetësore kanë krijuar struktura funksionale për ofrimin e shërbimit dhe personeli shëndetësor shfaq përkushtim në kujdesin ndaj pacientëve në banesë. Njëkohësisht, monitorimi evidentoi fusha që kërkojnë vëmendje të mëtejshme, si përshtatja e ndërhyrjeve infermierore sipas nevojave specifike te pacientit, përdorimi optimal i pajisjeve mjekësore, dokumentimi më i plotë i kujdesit infermieror, si edhe forcimi i bashkëpunimit me shërbimet sociale për adresimin e nevojave komplekse të pacientëve.

Në përfundim të procesit u hartuan rekomandime konkrete për drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe strukturat rajonale të kujdesit shëndetësor, të cilat synojnë përmirësimin  e monitorimit të brendshëm, zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit, përmirësimin e praktikave të dokumentimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Banesë.

Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe mbështetjes së vazhdueshme të ofruesve të shërbimeve, me synimin për të garantuar kujdes shëndetësor më cilësor, më të standardizuar dhe më të orientuar ndaj nevojave të pacientëve.