Përfundojnë trajnimet për trajnerë mbi Procedurat Standarde Infermierore në 27 Qendra Shëndetësore

Në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar aftësitë profesionale të infermiereve të familjes gjatë ofrimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë, HAP mbështeti zhvillimin e trajnimeve për trajnerë lidhur me procedurat standarde infermierore të cilat u mbyllën tashmë me sukses në 27 qendra shëndetësore në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, dhe Shkodrës.

Programi 5-ditor i trajnimit trajtoi realizimin e 18 procedurave infermierore të rëndësishme duke ndërthurur njohuritë teorike me zbatimin praktik dhe me shkëmbimin e përvojave reale të kujdesit në banesë, çka bënë që trajnimi të rrisë ndjeshëm kompetencën profesionale të infermiereve në menaxhimin e situatave të ndryshme shëndetësore që lindin gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor në banesë.

Gjatë trajnimit u përdorën me efikasitet prezantimet, videot, si edhe Manuali i Procedurave Standarde Infermierore të hartuar me mbështetjen e HAP. Trajnimi u mbajt nga ekspertë të fushës dhe siguroi një pjesëmarrje aktive të të gjithë infermiereve pjesëmarrëse të cilat përdorën pajisje dhe materiale të posaçme për praktikimin e procedurave në fjalë në manekinët e vënë në dispozicion.

Trajnimi për procedurat standarde infermierore jo vetëm që forcon kapacitetet profesionale të infermiereve, por gjithashtu thekson rolin e tyre të rëndësishëm në mjekësinë familjare dhe respektimin e të drejtës së pacientëve për të marrë kujdes shëndetësor cilësor në banesë.