Intervistë me dr. Melsena Leknikaj | Nga trajtimi i sëmundjes te kujdesi për pacientin: Si ka ndryshuar cilësia e shërbimit në Kujdesin Shëndetësor Parësor

Gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, Kujdesi Shëndetësor Parësor në Shqipëri ka përjetuar ndryshime në mënyrën e organizimit të shërbimeve, zhvillimin profesional dhe praktikat e kujdesit ndaj pacientëve. Në këtë intervistë, Dr. Melsena Leknikaj, mjeke familjeje në Qendrën Socio-Shëndetësore Nr. 8 në Tiranë, ndan përvojën e saj mbi ndryshimet në praktikën klinike, kontributin e HAP dhe sfidat që mbeten për të ardhmen.

  1. Nëse krahasoni kujdesin që ofrohej në qendrën tuaj shëndetësore 10–12 vjet më parë me atë të sotmin, cili është ndryshimi më i rëndësishëm në cilësinë e shërbimit?

Ndryshimi më i rëndësishëm është kalimi gradual nga një kujdes i përqendruar kryesisht te problemi akut për të cilin pacienti paraqitej në qendër, drejt një kujdesi më të planifikuar, më të strukturuar dhe më të orientuar drejt parandalimit.

Sot nuk kufizohemi vetëm te simptomat, por vlerësojmë edhe historikun mjekësor, faktorët e rrezikut, mënyrën e jetesës dhe nevojën për ndjekje afatgjatë. Për pacientët me sëmundje kronike, kontrollet planifikohen sipas gjendjes klinike dhe dokumentohen në mënyrë më sistematike. Kjo na ndihmon të identifikojmë më herët problemet, të përshtatim trajtimin dhe të sigurojmë vazhdimësi në kujdes.

Falë trajnimeve të shumta nga HAP, nevoja për referime tek mjeku specialist është ulur. Po kështu, ndjekja në vazhdimësi e pacientit sjell ulje të fluksit në shërbimin terciar, çka rrit ndjeshëm përmirësimin e kujdesit shëndetësor në tërësi.

  1. Çfarë ndryshimi kanë sjellë protokollet klinike në menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme? A mund të ndani një shembull konkret nga praktika juaj?

Protokollet klinike na kanë ndihmuar të standardizojmë vlerësimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve me hipertension, diabet, astmë, SPOK dhe dislipidemi. Protokollet na ofrojnë një bazë të përbashkët për vendimmarrjen klinike, të mbështetur në evidenca shkencore, dhe na orientojnë edhe për rastet kur nevojitet konsultë me specialistin.

Një shembull domethënës është menaxhimi i dislipidemive. Më parë, këta pacientë diagnostikoheshin dhe ndiqeshin kryesisht nga mjeku kardiolog. Sot, falë njohurive të fituara përmes trajnimeve dhe Grupeve të Kolegëve të mbështetura nga HAP, ne si mjekë familjeje mund t’i diagnostikojmë, trajtojmë dhe ndjekim sipas protokolleve përkatëse.

Vetëm gjatë një viti kam diagnostikuar mbi 400 pacientë me dislipidemi, të cilët ndiqen rregullisht sipas protokollit. Ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm për identifikimin dhe menaxhimin e faktorëve të rrezikut kardiovaskular, si dhe për forcimin e rolit të mjekut të familjes në kujdesin ndaj pacientëve me sëmundje kronike.

  1. Si ka ndryshuar vazhdimësia e kujdesit dhe përfshirja e pacientit në menaxhimin e shëndetit të tij?

Sot përpiqemi që ndjekja e pacientëve, veçanërisht e atyre me sëmundje kronike, të mos varet vetëm nga paraqitja e tyre në qendrën shëndetësore. Ne planifikojmë kontrolle periodike, monitorojmë parametrat klinikë dhe rivlerësojmë trajtimin sipas ecurisë së sëmundjes. Dokumentimi i vizitave na ndihmon të kuptojmë ecurinë e pacientit dhe të marrim vendime më të përshtatshme.

Njëkohësisht, i kushtojmë më shumë rëndësi edukimit shëndetësor. Pacienti duhet të kuptojë jo vetëm çfarë trajtimi merr, por edhe pse është i nevojshëm, si mund të parandalojë komplikacionet dhe çfarë roli ka ai vetë në menaxhimin e sëmundjes. Përmirësimi shihet kur pacientët rikthehen për kontrollet e planifikuara dhe kur identifikojmë në kohë nevojën për ndërhyrje.

Megjithatë, vazhdimësia mbetet një sfidë, pasi jo të gjithë pacientët kanë mundësi t’i ndjekin rregullisht kontrollet e rekomanduara.

Çfarë roli luajnë sot bashkëpunimi mjek–infermier dhe kujdesi shëndetësor në banesë në përmirësimin e shërbimit?

Kujdesi cilësor kërkon punë në ekip dhe ndarje të qartë të përgjegjësive. Infermierët kontribuojnë në monitorimin e parametrave jetësorë, edukimin shëndetësor, ndjekjen e pacientëve dhe identifikimin e problemeve që kërkojnë vlerësim mjekësor. Bashkëpunimi na ndihmon të kemi një pamje më të plotë të gjendjes së pacientit dhe të koordinojmë më mirë kujdesin.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është kujdesi shëndetësor në banesë, veçanërisht për të moshuarit dhe pacientët me kufizime në lëvizje. Vizitat në banesë na mundësojnë të monitorojmë gjendjen klinike, të vlerësojmë kushtet e jetesës dhe të bashkëpunojmë me familjarët.

Përfitimi kryesor është se pacienti nuk mbetet pa ndjekje vetëm sepse nuk mund të paraqitet në qendrën shëndetësore. Gjithashtu, vizita në banesë na jep mundësinë të identifikojmë nevoja që nuk do të ishin aq të dukshme gjatë një vizite të zakonshme.

  1. A ka ndryshuar mënyra se si identifikohen dhe trajtohen nevojat psikologjike dhe sociale të pacientëve?

Po. Sot jemi më të ndërgjegjshëm se gjendja shëndetësore e pacientit ndikohet edhe nga faktorët psikologjikë, ekonomikë, socialë dhe familjarë.

Për shembull, vështirësia e një pacienti me diabet për të ndjekur trajtimin mund të lidhet me kushtet ekonomike, stresin apo mungesën e mbështetjes familjare. Prandaj, përpiqemi të kuptojmë pengesat që has dhe të përshtatim këshillimin me mundësitë e tij reale.

Bashkëpunimi me psikologët dhe punonjësit socialë na ndihmon t’u përgjigjemi më mirë këtyre nevojave dhe të mos e gjykojmë pacientin vetëm nga fakti nëse i zbaton ose jo rekomandimet, por të kuptojmë arsyet që qëndrojnë pas sjelljes së tij. Për pacientin, kjo do të thotë një kujdes më njerëzor, më gjithëpërfshirës dhe më të përshtatur me nevojat e tij.

  1. Cilat nga këto ndryshime i lidhni drejtpërdrejt me mbështetjen e projektit HAP?

Nga këndvështrimi im si mjeke familjeje, kontributi më i rëndësishëm i HAP-it lidhet me zhvillimin profesional, përdorimin e protokolleve klinike dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë.

Trajnimet dhe Grupet e Kolegëve na kanë dhënë mundësinë të përditësojmë njohuritë, të diskutojmë raste klinike dhe t’i zbatojmë ato që mësojmë në praktikën e përditshme. Kjo ka ndikuar në mënyrën se si vlerësojmë pacientët, identifikojmë faktorët e rrezikut dhe organizojmë ndjekjen e tyre.

Një tjetër kontribut i rëndësishëm është forcimi i punës në ekip, ku mjeku, infermieri, psikologu dhe punonjësi social bashkëpunojnë për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të pacientit.

Sigurisht, përmirësimi i cilësisë së shërbimit është rezultat i disa faktorëve: përkushtimit të profesionistëve, mbështetjes institucionale dhe zbatimit të vazhdueshëm të praktikave të mira. HAP ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë proces, veçanërisht përmes forcimit të kapaciteteve dhe promovimit të një kulture pune të orientuar drejt cilësisë.

  1. Pavarësisht progresit, cilat janë sfidat kryesore që vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë e kujdesit?

Një nga sfidat kryesore mbetet ngarkesa e lartë e punës, e cila kufizon kohën për vlerësimin, këshillimin dhe ndjekjen e çdo pacienti.

Vështirësi paraqet edhe vazhdimësia e kontrolleve, veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike që përballen me pengesa ekonomike, gjeografike ose organizative.

Nevojitet gjithashtu forcimi i mëtejshëm i burimeve njerëzore dhe materiale, përmirësimi i dokumentimit dhe koordinimi më i mirë ndërmjet niveleve të sistemit shëndetësor. Për shembull, vonesat në marrjen e konsultave specialistike mund të ndikojnë në ndjekjen e pacientëve.

Për të ruajtur përmirësimet e arritura, duhet të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin profesional dhe organizimin e shërbimeve.

  1. Cilat praktika duhet të vazhdojnë pas përfundimit të HAP-it dhe çfarë do të thotë për ju sot një shërbim cilësor në Kujdesin Shëndetësor Parësor?

Mendoj se duhet të ruhen patjetër praktikat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe vazhdimësinë e kujdesit.

Së pari, trajnimet e vazhdueshme dhe Grupet e Kolegëve, sepse profesionistët shëndetësorë kanë nevojë të përditësojnë njohuritë dhe të shkëmbejnë përvoja. Së dyti, përdorimi i udhëzuesve dhe protokolleve klinike, si dhe dokumentimi i strukturuar i kujdesit, sepse këto ndihmojnë në ruajtjen e standardeve dhe në ndjekjen më të mirë të pacientëve. Së treti, bashkëpunimi mjek–infermier, edukimi shëndetësor dhe kujdesi në banesë për pacientët që kanë vështirësi në aksesin te shërbimi.

Është e rëndësishme që këto praktika të mbështeten nga institucionet dhe të bëhen pjesë e organizimit të zakonshëm të shërbimeve.

Për mua, sot një shërbim cilësor nuk do të thotë vetëm diagnostikim dhe trajtim i saktë, siç cilësohej dhjetë apo dymbëdhjetë vjet më parë. Sot një shërbim cilësor përfshin parandalimin, ndjekjen e vazhdueshme, bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve dhe përfshirjen e pacientit në vendimmarrje.

Në fund, cilësia nuk matet vetëm nga numri i vizitave që kryejmë, por nga vlera që marrin pacientët prej tyre. Pacienti nuk duhet të jetë thjesht një diagnozë që trajtojmë, por një person për të cilin kujdesemi në vazhdimësi.