Kujdesi mjekësor për të moshuarit në KSHP: Filluan trajnimet e akredituara nga ASCK

Gjatë muajve tetor dhe nëntor do të zhvillohen Trajnime për Trajnerë lidhur me ofrimin e kujdesit mjekësor për të moshuarit në kujdesin shëndetësor parësor.

Me mbështetjen e HAP, ekipe me mjekë dhe infermiere nga qendra shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Berat, dhe Korçë do të aftësohen për zbatimin e udhëzuesve, protokolleve të mjekimit dhe instrumenteve klinikë që përmban manuali “Kujdesi mjekësor për të moshuarit në Kujdesin Shëndetësor Parësor”.

Trajnimi përfshin diskutimin e rasteve klinike si osteoporoza, rrëzimet, demenca, depresioni, inkontinenca urinare, probleme të ushqyerjes dhe peshës, përshkrimi racional i barnave, dhe vlerësimi gjithëpërfshirës geriatrik. Çdo rast klinik diskutohet në grup të vogël dhe të madh me pjesëmarjen me rotacion të të gjithë pjesëmarrësve. Diskutimet e çdo rasti klinik përfshijnë përdorimin e mjeteve të nevojshme për vendim-marrjen klinike, ndarjen e detyrave ndërmjet mjekut e infermieres si dhe këshillimin apo edukimin e kujdestarit/familjarit të pacientit.

Në përfundim të këtij trajnimi, mjekët dhe infermieret pjesëmarrëse do të jenë të aftë të ngrenë Grupe të Kolegëve në qendrat shëndetësore përkatëse me qëlllim që të përcjellin njohuritë dhe aftësitë e marra tek kolegët e tyre. Ata do të mbështeten më tej nga HAP-i për aplikimin për Grup Kolegësh dhe komunikimin me ASCK-në.

Këto trajnime janë të akredituara nga ACKSH dhe po zhvillohen nga Shoqata Ryder Albania.