Infermiere Eleni Tafa: Trajnimi mbi procedurat standarde infermierore mjaft i vlefshëm për ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë

Eleni Tafa është infermiere e Kujdesit Shëndetësor në Banesë në Qendrën Shëndetësore të Gostimës në rrethin e Elbasanit. Falë rezultateve të saj të larta gjatë trajnimit, ajo është përzgjedhur që të trajnojë pjesën tjetër të stafit mbi procedurat standarde infermierore të nevojshme për ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë për pacientët e përzgjedhur të zonës. Biseduam me Elenin mbi vlerën e këtij trajnimi në punën e saj të përditshme.

Cilat janë ato procedura infermierore që keni mësuar gjatë ciklit 5-ditor të trajnimeve të cilat të kanë ndihmuar më shumë?

Procedurat infermierore që më kanë ndihmuar më shumë nga trajnimi 5-ditor janë oksigjenoterapia, kryerja e EKG-së, përdorimi i opiateve, kujdesja për plagët dekubituese, vendosja e tubit nazo-gastrik, dhe kateterizimi urinar.

Sa praktik ishte trajnimi, dhe a keni pasur mundësinë të praktikoni procedurat që keni mësuar?

Trajnimi ishte shumë praktik dhe kam pasur  mundësinë të praktikoj disa nga procedurat si realizimin e  EKG-së, mjekimin e plagëve dekubituese dhe vendosjen e kateterit venoz.

Si mendoni se do të ndikojë trajnimi për këto procedura standarde infermierore në rolin tuaj si infermiere familjeje?

Pa dyshim që ky trajnim ka përmirësuar aftësitë e mia si infermiere dhe mendoj se është mjaft i vlefshëm edhe për pacientët pasi përmirësimi i aftësive të mia ndikon drejtpërdrejt tek shërbimi që unë u ofroj pacientëve, i cili sigurisht tani është më i mirë. Unë tani kam vetëbesim profesional më të lartë dhe ndihem më e aftë për shpjegimin dhe realizimin e procedurave infermierore, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik,

Çfarë mendoni se do t’ju ndihmonte për të kapërcyer vështirësitë që mund të lindin nga zbatimi i këtyre procedurave në praktikën klinike të punës?

Mendoj se zbatimi i procedurave në praktikën e përditshme do të ishte më i lehtë nëse do t’i përsërisnim këto trajnime praktike në mënyrë periodike. Gjithashtu, pajisja me mjetet e nevojshme për ofrimin e shërbimit na ka mundësuar ofrimin e një shërbimi më cilësor e dinjitoz për pacientët tanë.

A ndiheni më e aftë për t’ua përcjellë këtë trajnim kolegëve tuaj? Çfarë ka funksionuar dhe çfarë mendoni se duhet të përmirësohet?

Mendoj se aftësia praktike në administrimin e procedurave është përmirësuar dhe mund ta përcjell trajnimin tek kolegët. Por sërish kam nevojë të përmirësoj të folurin në publik dhe të jem më e qartë dhe më e organizuar në informacionin që dua të përcjell.