HAP mbështet vizitat monitoruese për cilësinë e kujdesit për pacientët kronikë

Për të nxitur zbatimin efektiv të protokolleve për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, HAP po forcon kapacitetet e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor duke mbështetur vizitat monitoruese të specialistëve të tyre në qendrat shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Korcë dhe Shkodër. Vizitat synojnë të mbështesin qendrat shëndetësore në zbatimin e protokolleve të mjekimit dhe udhëzuesve për diabetin, astmën, hipertensionin, dislipideminë dhe SPOK-un.

Çdo vizitë monitoruese ndjek një program të detajuar të dakordësuar paraprakisht me qendrën shëndetësore që do të monitorohet. Ekipi monitorues fillon me prezantimin e qëllimit të vizitës monitoruese e dhe të axhendës së ditës për drejtorin dhe stafin e qendrës shëndetësore. Më pas vijon me përzgjedhjen e kartelave të pacientëve që do të shqyrtohen në përputhje me qëllimin e vizitës.

Ekipi i monitorimit vijon me kqyrjen e kartelave të përzgjedhura, me vëzhgimin e dhomave të vizitave, dhe me intervistat me mjekët e familjes, infermierët dhe pacientët. Intervistat mundësojnë marrjen e opinioneve dhe ideve të vlefshme mbi cilësinë e kujdesit dhe respektimin e protokolleve.

Në fund, ekipi monitorues ndan me stafin e QSH-së një përmbledhje të gjetjeve që nxit  një diskutim konstruktiv lidhur me masat për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit për të sëmurët kronikë.

Vizitat monitoruese janë të rëndësishme për të nxitur dhe motivuar ekipet e profesionistëve të qendrave shëndetësore për përmirësimin e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve kronikë nëpërmjet zbatimit të protokolleve të mjekimit, çka ndikon në përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre pacientëve.