HAP furnizon 27 qendra shëndetësore me pajisje për Kujdesin Shëndetësor në Banesë

Në përpjekje për të rritur qasshmërinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor, HAP furnizoi 27 qendra shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, dhe Shkodër me pajisjet e nevojshme për ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë. Ky investim synon t’u vijë në ndihmë të personave me sëmundje kronike dhe të moshuar, gjendja shëndetësore e të cilëve e bën  të pamundur të vijnë në  qendrat shëndetësore për të marrë shërbimet e nevojshme.

Pajisjet mjekësore dhe paramjekësore të shpërndara janë të një game të gjerë, që nga kateterët venozë dhe urinarë  e deri tek karriget e dushit, karrocat me rrota dhe aparatet e trajtimit të limfedemës, të cilat nga njëra anë lehtësojnë punën e personelit shëndetësor gjatë ofrimit të shërbimit dhe nga ana tjetër përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve të cilët i marrin në përdorim disa prej pajisjeve sipas nevojave.

Znj. Sajmira Aderaj, Specialiste e Infermieristikës pranë Projektit HAP tha se “furnizimi me këto pajisje është veçanërisht i rëndësishëm tashmë që stafi i këtyre qendrave po trajnohet mbi procedurat standarde infermierore pasi u mundëson zbatimin praktik të të gjitha procedurave që infermieret mësojnë gjatë trajnimit”.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë ofrohet sakaq në 58  qendra shëndetësore në Tiranë, Durrës, Peshkopi, Mat, Bulqizë, Elbasan, Korçë, Berat, Shkodër, Fier dhe Lushnjë, ku HAP ka mundësuar trajnimin e stafit dhe furnizimin me pajisjet e nevojshme gjatë viteve 2021-2023.

Kur shkon në banesën e pacientit, evidenton nevojat që ai ka dhe mundesh t’i ofrosh diçka që i lehtëson jetën, edhe ti si staf ndihesh shumë mirë, por edhe ai si pacient ndihet i vlerësuar”, thotë znj. Liri Kastrati, Drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Xhafzotaj.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë mbetet një ndër prioritetet e projektit HAP dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe pritet të shtrihet edhe në të gjithë territorin e vendit, ndërsa HAP do të mbështesë rreth 62 qendra shëndetësore në dy vitet e ardhshme të projektit.