HAP forcon aftësitë monitoruese për zbatimin e KSHB-së

Gjatë muajit tetor, HAP po mbështet forcimin e aftësive monitoruese të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit shëndetësor (OSHKSH), Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH), Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) dhe Qendrave Shëndetësore për zbatimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) nga ana e ekipeve të mjekësisë familjare.

Për këtë qëllim po ofrohen trajnime dy-ditore të cilat ofrojnë një modul teorik dhe një praktik gjatë të cilave pjesëmarrësit përftojnë njohuri mbi monitorimin e brendshëm dhe të jashtëm, mbi planifikimin dhe realizimin e vizitës monitoruese dhe mbi indikatorët sasiorë e cilësore dhe përllogaritjen e tyre. Gjithashtu, ata aftësohen në përdorimin praktik të indikatorëve për vlerësimin e zbatimit të KSHB-së dhe në shkrimin dhe raportimin e gjetjeve të vlerësimit si edhe ndjekjen pas vizitës monitoruese.

Trajnimet po zhvillohen në të gjitha zonat e mbulimit të projektit HAP – Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Shkodër dhe Dibër.

Pjesëmarrës në këto trajnime janë specialistë nga OSHKSH rajonal, nga NJVKSH-të, nga zyrat rajonale të FSDKSH-së, si edhe menaxherë apo koordinatorë të qendrave shëndetësore ku po zbatohet kujdesi shëndetësor në banesë.