Projekti “Shëndet për të gjithë” (HAP) po vijon me programin e trajnimeve të akredituara për forcimin e kapaciteteve të psikologëve që punojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor (KSHP) në Shqipëri.
Kjo nismë mbështet zbatimin efektiv të “Manualit të Psikologut në Kujdesin Shëndetësor Parësor”, të miratuar së fundmi, duke pajisur profesionistët me njohuritë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ofruar shërbime cilësore të shëndetit mendor në qendrat socio-shëndetësore.
Trajnimi, i zhvilluar nga Prof. Asoc. Artemisi Shehu dhe MSc. Alberta Shkëmbi, mbledh psikologë nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) të Tiranës, Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës, Pogradecit, Korçës, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës, përfshirë profesionistë që punojnë në qendrat socio-shëndetësore dhe në njësitë e shëndetit mendor të NJVKSH-ve. Rreth 70 psikologë do të marrin pjesë në program. Çdo trajnim zgjat tri ditë, me gjashtë orë efektive secila, dhe është i akredituar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Kujdesin Shëndetësor dhe Shoqëror (ASCK).
Programi i trajnimit ndërthur prezantime teorike me diskutime interaktive, punë në grupe, lojë me role dhe analiza të rasteve klinike. Temat kryesore përfshijnë rolin e psikologut në kujdesin shëndetësor parësor, punën në ekipet multidisiplinare, vlerësimin psikologjik, ndërhyrjet e shkurtra, menaxhimin e rasteve, mekanizmat e referimit, etikën profesionale dhe vetëkujdesin, duke u mundësuar pjesëmarrësve të zbatojnë në praktikën e tyre të përditshme udhëzimet dhe instrumentet e Manualit.
Ky aktivitet është pjesë e mbështetjes afatgjatë që projekti Health for All (HAP) i ofron Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për forcimin shërbimeve të integruara në KSHP dhe përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve cilësore të shëndetit mendor pranë komunitetit.