Përurohet zyrtarisht programi master në menaxhimin e shëndetësisë
Një program masteri për menaxhimin e shëndetësisë u përurua sot nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ambasadorja Ruth Huber – Shefe e Bashkëpunimit me Europën Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC)
Dy përfaqësueset e qeverive shqiptare dhe zvicerane vizituan Departamentin e Shëndetit Publik, Fakulteti i Mjekësisë për të përshëndetur studentët dhe lektorët.
“Ky kurs masteri të cilin përurojmë sot zyrtarisht është një nga ato përpjekje të cilat premtojnë qëndrueshmëri. Është nje terren i ri për trajnimin e menaxherëve të ardhshëm të shëndetësisë – për të cilët ka shumë nevojë në ditët e sotme. Investimet më të mira që mund të bëjmë janë ato tek njerëzit dhe burimet njerëzore – dhe kjo përfshin arsimim të mirë në shëndetësi”, tha Ambasadorja Ruth Huber, Shefe e Bashkëpunimit me Europën Lindore në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës.
“Si rezultat i këtij kursi master, 30 profesionistë shëndetësie do të diplomohen si menaxherë shëndetësie – menaxherët e parë të shëndetësisë në Shqipëri. Dhe ky është vetëm fillimi. Pas disa viteve me të diplomuar, sistemi shëndetësor në Shqipëri do të përfitojë një forcë pne të përgatitur mirë për çdo strukturë të kujdesit shëndetësor”, shtoi zyrtarja zvicerane.
Në fjalimin e saj përshëndetës Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu përmendi nevojën për të parut një kombinim të aftësive menaxhuese dhe shëndetësore për të administruar më mirë institucionet shëndetësore. “Investimi më i mirë është padyshim në arsimim për të forcuar kapacitetet dhe për të zhvilluar burimet njerëzore të afta për të përballuar sfidat e sistemit tonë shëndetësor”, tha Ministrja gjatë fjalimit të saj.
Delegacioni zviceran që përfshinte edhe Ambasadorin e Zvicrës Christoph Graf dhe drejtuesin e Projektit, dr. Besim Nuri, vizitoi edhe ambientet e Departamentit të Shëndetit Publik, të rinovuara kohët e fundit nga projekti ‘Shëndet për të Gjithë”.
Rreth 51,000 Euro si dhe ekspertizë nga Zvicra u përfshinë në krijimin e kushteve për këtë kurs të ri si dhe për të dizenjuar një kurrikulum mësimor i cili i përshtatet kontekstit shqiptar të shëndetësisë.
Projekti Shëndet për të Gjithë ka siguruar mundësi trajnimi për pedagogët si dhe pajisje dhe programe kompjuterike për klasat.Programi i ri master është dizenjuar për të prodhuar menaxherë të ardhshëm të shëndetësisë të cilët do të jenë të aftë të rrisin efiçensën dhe të përmirësojnë administrimin e institucioneve të shëndetësisë.
Programi drejtohet bashkërisht nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Mjekësor, dhe në nivel fakultetesh nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Ekonomisë. Kurrikulumi mësimor është zhvilluar nga Departamenti i Shëndetit Publik dhe Departamenti i Menaxhimit me mbështetje të vazhdueshme nga Instituti Zviceran Tropikal dhe i Shëndetit Publik (Swiss TPH). Në vitet e fundit sektori i shëndetësisë ka marrë një mbështetje në rritje nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Për tu informuar mbi programin e këtij masteri profesional, ju lutem klikoni këtu.