Dr. Bajram Lami: Rritet fluksi i vizitave pas rindërtimit të qendrës shëndetësore

Dr. Bajram Lami është mjeku i qendrës shëndetësore të sapo rindërtuar në fshatin Zall Mner në bashkinë Kamëz. Folëm së bashku për përvojën e tij të gjatë në shërbim të komunitetit dhe për të mirat që sjell përmirësimi i infrastrukturës në cilësinë dhe gamën e shërbimeve që u ofrohen banorëve të zonës.

Sa vite keni që punoni në ambulancën e Zall Mnerit? Sa banorë mbulon kjo ambulancë dhe çfarë shërbimesh ofrohen?

Në ambulancën Zall Mner kam filluar punë në korrik të vitit 1997. Aktualisht kjo ambulancë mbulon me shërbim shëndetësor rreth 2800 banorë. Në këtë ambulancë, krahas shërbimit si mjek familjeje, mbulohet edhe Konsultori Nëna dhe Fëmija ku kryhet vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të vaksinimit. Gjithashtu, kryhen injeksione dhe, sipas nevojës, edhe rehidrimi i pacientëve.

Gjatë këtyre viteve, çfarë eksperience keni pasur gjatë ofrimit të shërbimeve?

Eksperienca në punë prej 30 vitesh më ka mundësuar që marrëdhënia mjek-pacient të jetë shumë e mirë dhe thuajse të gjithë të jenë shumë besues dhe bashkëpunues. Për pasojë, edhe niveli i shërbimit është cilësor. Gjatë ofrimit të shërbimit për fat të mirë kemi pasur eksperienca positive dhe kemi përballuar raste nga më të ndryshmet. Kjo ka bërë që të ndihemi të lumtur me atë që bëjmë.

Sot me një qendër të rehabilituar, çfarë ka ndryshuar në punën tuaj të përditshme?

Sot, qendra është vërtet një qendër që, falë rehabilitimit, ofron të gjitha kushtet, duke mundësuar ofrimin e një shërbimi mjaft cilësor. Pacienti ndihet komod dhe vjen me dëshirë për të marrë shërbim. Kjo shihet edhe nga fluksi i lartë i vizitave pas rehabilitimit të ambulancës. Është shtuar jo vetëm numri i vizitave, por edhe i shërbimeve që merr pacienti. E gjithë kjo falë kushteve që tashmë ofron kjo ambulancë.

A mund të më thoni edhe dy fjalë për shërbimin në banesë që ofrohet rishtazi nga ju?

Shërbimi në banesë ka filluar para dy muajsh. Aktualisht kam katër pacientë të planifikuar për shërbim në banesë që janë të sëmurë kardiakë, diabetikë, pulmonarë dhe me insufiçencë renale kronike. Të gjithë janë ndjekur dhe kartelizuar nga infermierja. Shërbimi në banesë është pritur me shumë kënaqësi si nga pacientët ashtu edhe nga familjarët.

Si ka ndikuar rehabilitimi i godinës në punën e stafit shëndetësor?

Ndihemi vërtet të lumtur dhe komod në punën tonë pasi qëllimi ynë është përmirësimi i shëndetit të popullatës dhe cilësisë së shërbimit. Falënderime pafund jo vetëm nga personeli shëndetësor por mbi të gjitha nga pacientët për ambasadën e Zvicrës dhe qeverinë zvicerane që bënë të mundur këtë investim të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në komunitetin tonë.

Falënderojmë Dr. Lamin dhe personelin mjekësor në Zall Mner për përkushtimin e palodhur në shërbimin shëndetësor që u ofrojnë banorëve të zonës.