Reflektim mbi të ardhmen e Kujdesit në Banesë: Forumi i diskutimit mbledh aktorët kryesorë të shërbimit

Në kuadër të procesit të kapitalizimit, Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) organizoi më 28 prill 2026 një forum diskutimi me titull “Kujdesi në Banesë: Reflektim mbi zhvillimin, shtrirjen dhe konsolidimin e shërbimit“. Ky aktivitet mblodhi në tryezë hartues të politikave, drejtues të sistemit shëndetësor, profesionistë të shëndetësisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë për zhvillim, për të reflektuar mbi rrugëtimin e kujdesit në banesë në Shqipëri dhe për të diskutuar kushtet e nevojshme për të ardhmen e tij të qëndrueshme.

I zhvilluar nga HAP në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale si pjesë e Strategjisë së Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020–2025, modeli i Kujdesit në Banesë ka evoluuar nga një ndërhyrje pilote në një shërbim që zbatohet në 150 qendra shëndetësore me synimin për t’u shtrirë në mbarë vendin. Ky model ka rritur qasjen ndaj kujdesit për grupet vulnerabël, veçanërisht për personat me sëmundje kronike dhe ata që e kanë të pamundur të paraqiten në qendrat shëndetësore, duke nxitur njëkohësisht një qasje më të orientuar ndaj pacientit dhe komunitetit në kujdesin shëndetësor parësor.

Përmes diskutimeve, si në nivelin institucional ashtu edhe në atë të ofruesve të shërbimit, pjesëmarrësit vlerësuan progresin e rëndësishëm të arritur falë fuqizimit të kapaciteteve profesionale, instrumenteve të reja klinike e operacionale, përmirësimit të punës në ekip dhe një roli më të fortë të infermierëve në kujdesin me bazë komunitare.

Në të njëjtën kohë, forumi ofroi një hapësirë me vlerë për një diskutim të hapur dhe kritik mbi hapat e mëtejshëm të zhvillimit të kujdesit në banesë. Ndër fushat kryesore ku nevojitet vëmendje e vazhdueshme u identifikuan financimi i qëndrueshëm, trajnimi dhe mentorimi i vazhdueshëm, sigurimi i cilësisë, monitorimi efektiv, menaxhimi i ngarkesës në punë, si dhe përshtatja e organizimit të shërbimit me realitetet e ndryshme lokale.

Forumi u mbyll me mirëkuptimin e përbashkët se kujdesi në banesë e ka dëshmuar sakaq vlerën dhe rëndësinë e tij brenda sistemit shëndetësor në Shqipëri. Hapi tjetër vendimtar është garantimi i pronësisë së plotë institucionale, në mënyrë që shërbimi të vijojë të evoluojë dhe t’u përgjigjet nevojave të popullatës vulnerabël edhe pas përfundimit të mbështetjes nga projekti.