Konferenca përmbyllëse e HAP: 12 vjet bashkëpunim për forcimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor

Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) do të organizojë konferencën përmbyllëse “Drejt një kujdesi shëndetësor parësor më të fortë: 12 vjet mësime dhe perspektiva për të ardhmen”, e cila do të mbledhë së bashku politikëbërës, profesionistë të shëndetësisë, partnerë institucionalë dhe ekspertë nga Shqipëria dhe rajoni për të reflektuar mbi dymbëdhjetë vjet mbështetje zvicerane për Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP) në Shqipëri.

Projekti HAP – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) – ka bashkëpunuar që prej vitit 2015 me institucionet dhe profesionistët shqiptarë të shëndetësisë për forcimin e shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor, përmirësimin e cilësisë së kujdesit dhe zhvillimin e një sistemi shëndetësor më të përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve.

Përgjatë tri fazave të zbatimit, projekti ka kontribuuar në zhvillime të rëndësishme në KSHP, përfshirë futjen dhe zgjerimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në banesë, hartimin dhe zbatimin e protokolleve klinike për sëmundjet jo të transmetueshme, si dhe forcimin e aftësive profesionale përmes trajnimeve, Grupeve të Kolegëve dhe edukimit në vazhdim. HAP ka mbështetur gjithashtu integrimin e shërbimeve psikosociale, bashkëpunimin ndërprofesional, përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve shëndetësore, si dhe forcimin e menaxhimit dhe monitorimit të shërbimeve.

Konferenca përmbyllëse do të shërbejë si një hapësirë për të shqyrtuar këto zhvillime, për të ndarë përvojat e fituara gjatë zbatimit të projektit dhe për të diskutuar mësimet që mund të orientojnë politikat dhe praktikat e ardhshme në Kujdesin Shëndetësor Parësor.

Programi i konferencës përfshin prezantime dhe diskutime me përfaqësues të autoriteteve shëndetësore, profesionistë dhe partnerë institucionalë, duke u përqendruar në disa prej fushave kryesore të mbështetjes së HAP: kujdesin shëndetësor në banesë, formimin dhe zhvillimin profesional, parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, si dhe qasjet e integruara ndaj kujdesit për pacientin. Një sesion i posaçëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova dhe Moldavia do ta zgjerojë diskutimin përmes shkëmbimit të përvojave dhe perspektivave nga sisteme të tjera shëndetësore të rajonit.

Përtej pasqyrimit të arritjeve, konferenca pritet të trajtojë edhe pyetjen më thelbësore në fund të këtij rrugëtimi: si mund të ruhen dhe të zhvillohen më tej rezultatet e mbështetjes së ofruar gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve? Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vijimësisë së praktikave të përmirësuara, kapaciteteve të profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore, si dhe burimeve dhe angazhimeve të nevojshme për të ruajtur dhe forcuar shërbimet e KSHP-së.

Konferenca përmbyllëse e projektit HAP do të zhvillohet më 28 tetor 2026, në Tiranë.