Lulzime Gjyriqi është punonjëse sociale e licensuar me rreth 12 vite përvojë profesionale në fusha të tilla si lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dhuna në familje, fuqizimi i komuniteteve, puna me emigrantët dhe sistemi arsimor. Prej tre vjetësh ajo ushtron detyrën e punonjëses sociale pranë Qendrës Socio-Shëndetësore nr.7 në Tiranë, ndërsa prej pesë vjetësh është pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku zhvillon lëndë të fokusuara në punën me individin, këshillimin dhe politikat sociale. Gjatë karrierës së saj ka kontribuar si eksperte në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2023, znj. Gjyriqi është Koordinatore për Qarkun Kukës në strukturat e Urdhrit të Punonjësit Social në Shqipëri, si edhe supervizore e licensuar.
Cilat janë problemet sociale që ndikojnë më shpesh në shëndetin e pacientëve dhe që nuk mund të zgjidhen vetëm nga mjeku apo infermieri?
Janë padyshim problemet ekonomike, papunësia, pagat e ulëta që rrjedhimisht ndikojnë në cilësinë e jetës, shëndetin dhe pamundësinë për të blerë medikamente (ato që nuk përfshihen në skemën e rimbursimit nga shteti).
Por, problemet familjare, marrëdhëniet dhe stili i jetesës janë probleme të tjera që ndërthuren me shëndetin, por që nuk mund të trajtohen nga personeli shëndetësor pa ndërhyrjen e profesionistit të shërbimit psikosocial.
A mund të na sillni përmes një shembulli konkret:
Si është integruar punonjësi social në ekipin multidisiplinar të qendrës socio-shëndetësore?
Si bashkëpunoni në praktikë me mjekun dhe infermierin e familjes?
Sa vendimtare ka qenë ndërhyrja e punonjësit social për mirëqenien e pacientit?
Tek unë rastet referohen kryesisht nga mjeku dhe infermieri i familjes. Ata, pasi kanë identifikuar te pacienti diçka që nuk shkon dhe që duhet parë në aspektin psikosocial, e referojnë tek unë.
Kështu, kam pasur raste kur pacienti është referuar për një problem të sjelljes apo luhatje emocionale, por gjatë procesit të vlerësimit është konstatuar se problemi është më i thellë se kaq dhe janë marrë masat përmes sistemit të referimit, që pacienti të marrë shërbimin e nevojshëm dhe të trajtohet me dinjitet.
Në praktikë, unë jam në kontakt për çdo rast me mjekun e familjes (bisedojmë nga afër ose përmes përgjigje-rekomandimit), duke specifikuar ndërhyrjen që është kryer për rastin në fjalë dhe rekomandimet për më tej.
Ndërhyrja e Punonjësit Social ka qenë vendimtare për raste që kanë pasur vërtet nevojë të ndiqen më tej. E vlerësoj si shumë të rëndësishme dhe përpiqem që në çdo rast që trajtoj si punonjëse sociale t’i ofroj pacientit të paktën mundësinë për t’u ndier i dëgjuar dhe i pranuar.
Si e vlerësoni mbështetjen e strukturave menaxheriale shëndetësore (NJVKSH, OSHKSH, MSHMS) për këtë profesion të ri?
Mendoj që duhej dhe mund të ishte bërë më shumë sesa hapja e vendeve vakante në organikat e QSSH-së.
Ajo që mund të them është që integrimi i një shërbimi/profesioni në një institucion duhet të jetë i plotë në të gjithë komponentët e tij, duke përfshirë pozicionimin e profesionistit në institucion (përshkrimin e punës), protokollet dhe instrumentet e punës, hapësirën e dedikuar dhe sipas standardeve, trajtimin me dinjitet të profesionistëve sipas kategorizimit të tyre në sistemin shëndetësor, pagën etj.
Çfarë ndryshon për pacientin kur përveç kujdesit shëndetësor merr edhe mbështetje sociale? Si ndihmon kjo qasje në identifikimin më të hershëm të rasteve të vulnerabilitetit?
Fjalia që dëgjoj nga pacientët kur vijnë të marrin shërbim te ne është “Ah, sa mirë, nuk e dija që ky shërbim ofrohej edhe këtu”.
Që në këtë moment, ne e kuptojmë që ky shërbim u vlen vërtet pacientëve dhe nevojës së tyre për t’u ndier qoftë edhe të dëgjuar nga dikush.
Kemi pasur raste të trajtuara me sukses si në aspektin social, ashtu edhe në atë të shëndetit mendor, ku mund të përmend probleme të menaxhimit të stresit, të ankthit apo të ndryshimit të stilit të jetesës. Të gjitha këto raste janë menaxhuar pa qenë nevoja të referohen te psikiatri.
Një qasje e tillë e afron pacientin me shërbimin dhe ndihmon natyrisht në identifikimin e hershëm të rasteve të vulnerabilitetit.
Ju keni qenë pjesë e grupit të punës që hartoi Manualin e Punonjësit Social në Kujdesin Shëndetësor Parësor. Çfarë boshllëku plotëson ai në praktikën e përditshme të punonjësve socialë?
Manuali është i vetmi udhëzues që orienton punën e Punonjësit Social në KSHP, duke na udhëhequr në mënyrë mbështetëse në punën tonë të përdithme dhe duke na qartësuar kufijtë e rolit dhe përgjegjësive tona.
Falë tij ne jemi më të qartë se deri në ç’pikë mund të ndërhyjmë dhe çfarë na takon të bëjmë.
Sa të zbatueshme ju duken udhëzimet, mjetet e manualit në praktikë? Çfarë do të nevojitej për zbatimin më efektiv të tyre?
Ajo që mendoj se ndikon në zbatimin e Manualit dhe në integrimin e shërbimeve psikosociale në KSHP, është trajtimi i Punonjësve Socialë si pjesë integrale e ekipeve të KSHP-së.
Këtu kam parasysh i) trajnimin e punonjësve socialë në QSSH për zbatimin në praktikë të Manualit ii) aksesin në platformën elektronike të FSDKSH-së për raportimin e punës dhe lehtësimin e komunikimit në të mirë të pacientit; iii) dokumentimin në kartelën e pacientit të shërbimit që ofrojmë, iv) përcaktimin e kritereve, indikacioneve për referim direkt nga punonjësi social jashtë QSSH-së; dhe v) monitorimin e punës sonë sipas indikatorëve dhe specifikave të shërbimit që ofrojmë.
HAP ka mbështetur integrimin e shërbimeve psikosociale në kujdesin parësor prej disa vitesh. Sipas jush, cilat kanë qenë kontributet më të rëndësishme dhe si e vlerësoni këtë mbështetje të projektit?
Për mua, mbështetja e HAP ka qenë më e rëndësishmja, pasi siç e thashë edhe më sipër nuk mjafton vetëm hapja e disa vendeve vakante dhe punësimi i profesionistëve psiko-socialë në QSSH.
HAP ka bërë që të flitet për shërbimin psikosocial në KSHP në terma më konkrete: ka hartuar Manual të veçantë për secilin nga profesionet, për punonjësit socialë dhe për psikologët që punojnë në KSHP; ka mundësuar trajnimin e tyre krahas mjekëve dhe infermierëve të familjes lidhur me menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor; ka mbështetur aftësimin e këtyre profesionistëve të rinj për ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Kolegëve, çka ka mundësuar njohjen e gjithë ekipit mjekësor me rolin e tyre dhe bashkëpunimin më të ngushtë brenda ekipit.
Cilat mendoni se mbeten sfidat kryesore për integrimin e këtyre shërbimeve në KSHP në të gjithë Shqipërinë?
Që shërbimet psikosociale të integrohen plotësisht në KSHP, është pikësëpari e domosdoshme që të njihet vlera e këtij shërbimi dhe që këta profesionistë të trajtohen me dinjitet, ashtu si çdo profesionist tjetër në sistemin shëndetësor.
Në këtë drejtim, mendoj se do të ndihmonte shumë realizimi i takimeve periodike të ekipit të mjekësisë së familjes – mjekë e infermierë familjeje me punonjës socialë a psikologë. Kështu do të mund të njihnim më mirë praktikat e punës sonë të përditshme dhe do të ndanim më mirë rolet e përgjegjësitë mes nesh, çka do të bënte që të menaxhoheshin më mirë rastet dhe problematikat e pacientëve.
Ndërsa nga pikëpamja e aksesit të shërbimeve, mendoj se ende hasim vështirësi që lindin nga stigma ndaj problemeve të shëndetit mendor, kultura dhe mentaliteti i komuniteteve në përdorimin e këtyre shërbimeve.