Në kuadrin e procesit të kapitalizimit të Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP), u zhvillua forumi i diskutimit me temë “Standardizimi i trajtimit të SJT-ve dhe roli i Grupeve të Kolegëve: Reflektim mbi procesin e përmirësimit të cilësisë në Kujdesin Shëndetësor Parësor”, me pjesëmarrjen e partnerëve institucionalë, profesionistëve të Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP) dhe përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore.
Aktiviteti u organizua si pjesë e etapës së kapitalizimit të projektit, një proces që synon të evidentojë dhe të vlerësojë përvojat, praktikat dhe mësimet e nxjerra gjatë viteve të zbatimit të ndërhyrjeve të HAP në mbështetje të forcimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri.
Gjatë forumit u diskutua mbi kontributin e projektit në përmirësimin e trajtimit të sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) në KSHP, përmes përditësimit të protokolleve dhe udhëzuesve klinikë për patologjitë kryesore kronike, si hipertensioni arterial, diabeti, dislipidemitë, astma dhe SPOK. Pjesëmarrësit reflektuan gjithashtu mbi procesin e zbatimit të këtyre protokolleve në praktikën klinike, sfidat e hasura dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve.
Një fokus i veçantë iu kushtua rolit të Grupeve të Kolegëve (GK) si një model efektiv i edukimit në vazhdim për profesionistët e KSHP-së. Përmes prezantimeve, dëshmive dhe diskutimeve të hapura, u ndanë përvoja konkrete mbi mënyrën se si GK-të kanë kontribuar në forcimin e praktikës klinike, bashkëpunimit në ekip dhe shkëmbimit të njohurive mes profesionistëve shëndetësorë.
Forumi shërbeu gjithashtu si një hapësirë reflektimi mbi qëndrueshmërinë dhe mundësitë për konsolidimin e mëtejshëm të këtyre modeleve në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në KSHP.
HAP falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, mendimet dhe përvojat e ndara gjatë aktivitetit. Ndërsa projekti po shkon drejt mbylljes, përvojat dhe praktikat e ndërtuara ndër vite mbeten një bazë e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri.