Mbledhja e fundit e Komitetit Drejtues të HAP: Rëndësia e kontributit 12 vjeçar të projektit dhe qëndrueshmëria

Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) zhvilloi mbledhjen e tij të 22-të dhe të fundit të Komitetit Drejtues më 16 prill 2026 në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ky takim mblodhi përfaqësues të institucioneve kombëtare, Ambasadës Zvicerane, partnerëve për zhvillim dhe organizatave profesionale, për të reflektuar mbi bashkëpunimin gati 12-vjeçar në fuqizimin e kujdesit shëndetësor parësor (KSHP) në Shqipëri.

Mbledhja vuri në dukje arritjet kryesore të HAP-it, si përmirësimin e politikave dhe rregulloreve të KSHP-së, zhvillimin e kapaciteteve profesionale, prezantimin e qasjeve novatore në edukimin e vazhdueshëm mjekësor, integrimin e shërbimeve psikosociale, si dhe ngritjen dhe shtrirjen në shkallë kombëtare të shërbimeve të kujdesit në banesë.

Pjesëmarrësit theksuan se kontributi më i madh i HAP-it nuk qëndron vetëm tek ndërhyrjet e zbatuara, por edhe te njohuritë, instrumentet dhe kapacitetet institucionale të krijuara për të garantuar vijimësinë e tyre. Diskutimet u përqendruan në qëndrueshmërinë e modeleve të suksesshme, veçanërisht të kujdesit në banesë dhe të zbatimit të protokolleve klinike për sëmundjet jo të transmetueshme, si dhe në nevojën për financim të dedikuar dhe një pronësi më të fortë institucionale për të siguruar vijimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale rikonfirmoi angazhimin e saj për të integruar qasjet e suksesshme të HAP-it në strategjitë kombëtare dhe për të vijuar zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Ambasada Zvicerane ritheksoi gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet për sigurimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve deri në vitin 2028, duke përfshirë advokimin për përfshirjen e kujdesit në banesë brenda Paketës Bazë të shërbimeve të KSHP-së.

Komiteti Drejtues e mbylli takimin duke vlerësuar partneritetin e fortë ndërmjet institucioneve shqiptare, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe HAP-it, si dhe shprehu angazhimin e përbashkët për t’i çuar përpara arritjet e projektit drejt shërbimeve më të mira shëndetësore për popullsinë shqiptare.