
Fondacioni Pema e Jetës, me mbështetjen e projektit Shëndet për të Gjithë (HAP), organizoi me sukses takimin advokues me temë “Fizioterapia: Një Dritë Shprese për Personat me Sklerozë Multiple”. Ky aktivitet mblodhi profesionistë të shëndetësisë, vendimmarrës dhe aktorë të ndryshëm për të theksuar rëndësinë jetike të fizioterapisë në përmirësimin e jetës së personave me sklerozë multiple (SM) dhe përtej.
Ndër pikat kryesore që u diskutuan janë:
- Domosdoshmëria e fizioterapisë: Ekspertët theksuan se fizioterapia nuk është thjesht një shërbim ndihmës, por një mjet rehabilitues thelbësor. Përfshirja e saj në qendrat shëndetësore mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës për pacientët me SM dhe për ata që kanë nevojë për rehabilitim.
- Prezantimi i gjetjeve: U publikua një raport i detajuar që tregoi përfitimet e fizioterapisë në përmirësimin e funksioneve neurologjike te pacientët me SM, i shoqëruar me rekomandime konkrete për zbatimin e saj.
- Sfida dhe mundësi: Pjesëmarrësit diskutuan pengesat për ofrimin e shërbimeve të fizioterapisë në kujdesin shëndetësor parësor dhe eksploruan zgjidhje të mundshme për rritjen e aksesit.
Ky takim përforcoi idenë se rehabilitimi fizik është një rifillim jete për personat që vuajnë nga skleroza multiple, shumica e të cilëve janë të rinj, në moshën 20-40 vjeç. Këta individë përballen me sfida të mëdha për të ruajtur pavarësinë e tyre, por fizioterapia u jep shpresë dhe mundësi për të rifituar kontrollin mbi jetën e tyre.
Për të mbështetur më tej aksesin në shërbimet e fizioterapisë, Fondacioni Pema e Jetës fton publikun që të firmosë peticionin për integrimin e fizioterapisë për pacientët me SM në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor.
Firmosni peticionin këtu.