Përfundon me sukses trajnimi për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në KSHP

Trajnimi për trajnerë “Përdorimi i udhëzuesit për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor” përfundoi me sukses me pjesëmarrjen profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor nga qendra shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Elbasan, Korçë, Berat, Bulqizë, dhe Shkodër.

Trajnimi u ofrua nga “Shtegu i Shpresës” në kujdesin e projektit HAP dhe kishte për qëllim aftësimin e mjekëve të familjes, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë për përdorimin e udhëzuesve dhe instrumenteve klinike për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor. Pjesëmarrësit u trajnuan gjithashtu për të ndarë njohuritë e fituara me kolegët e tyre përmes Grupit të Kolegëve, një model tashmë i njohur i edukimit në vazhdim i cili nxit bashkëpunimin dhe shkëmbimin profesional.

Programi i trajnimit u zhvillua përgjatë dy ditëve intensive dhe përfshinte prezantime teorike, aktivitete ndërvepruese dhe ushtrime praktike. Në ditën e parë, u trajtuan çështje si parimet e kujdesit për personat me çrregullime mendore dhe përdorimi i instrumenteve të vlerësimit për diagnozë dhe trajtim, ndërsa në ditën e dytë pjesëmarrësit u fokusuan në raste klinike dhe në menaxhimin e psikozave dhe sjelljeve vetëdëmtuese.

Pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht trajnimin, duke theksuar rëndësinë e qasjes praktike dhe të materialeve të përgatitura.

Ky trajnim është pjesë e përpjekjeve për të integruar shërbimet e shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor, duke e bërë atë më të aksesueshëm dhe efektiv për qytetarët.