Zbatimi i ndërhyrjeve të HAP në praktikën klinike: Ekipi zviceran viziton Qendrën Shëndetësore Dajç

Përfaqësues të ambasadës së Zvicrës në Tiranë dhe të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) vizituan Qendrën Shëndetësore Dajç, Shkodër për të parë nga afër se si ka ndikuar kontributi i HAP në shërbimin shëndetësor që u ofrohet pacientëve.

Ekipi i përbërë nga Znj. Erica Placella, Shefe e Sektorit të Shëndetësisë dhe Znj. Sabine Piccard, Drejtuese e Sektorit të Shëndetësisë dhe Qeverisjes pranë SDC-së, dhe Znj. Zhenihen Zanaj, Përgjegjëse e Programit të Shëndetësisë pranë Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri diskutuan mbi arritjet dhe sfidat e zbatimit të kujdesit në banesë, zbatimin e protokolleve për sëmundjet jo të transmetueshme duke përfshirë edhe kujdesin ndaj të moshuarve dhe menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor si edhe shprehën interes për të kuptuar më qartë nevojat për mbështetje të mëtejshme nga HAP.

Mjeku i familjes dhe njëkohësisht Menaxheri i Qendrës Shëndetësore, Dr. Besnik Haxhija, foli gjerësisht mbi rëndësinë e trajnimeve për parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të SJT-ve në rritjen e cilësisë së shërbimit që ofron qendra për banorët dhe theksoi rëndësinë e dokumentimit të gjendjes shëndetësore dhe monitorimit periodik të pacientëve për menaxhimin më të mirë të sëmundshmërisë në komunitet. Mbarëvajtjen e punës në qendrën shëndetësore Dajç Dr. Haxhija e lidh me bashkëpunimin e shkëlqyer mes anëtarëve të stafit dhe marrëdhënien e ngushtë të ekipit mjekësor me banorët e zonës.

Koordinatorja e kujdesit në banesë, Znj. Arta Zogu vlerësoi trajnimet tejet të vlefshme nga HAP të cilat i kanë dhënë vetëbesim profesional dhe zhdërvjelltësi në menaxhimin e pacientëve dhe shpjegoi se sa mirë ndihej profesionalisht gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor falë aftësive dhe pajisjeve me mjetet e nevojshme të punës. Shefja e Kujdesit Parësor në Operatorin Rajonal në Shkodër, Znj. Lindita Haxhija, shpjegoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Operatorit Rajonal dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor me qendrën shëndetësore për të siguruar mbarëvajtjen e punës dhe motivimin e stafit për realizimin sa më të mirë të shërbimit shëndetësor për komunitetin.