
Revista e Shëndetit i ka kushtuar një numër të veçantë projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP) si një nismë madhore e qeverisë zvicerane që ka ndikuar thellësisht në përmirësimin e aksesibilitetit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor parësor për të gjithë qytetarët shqiptarë, me një fokus të veçantë tek grupet më të cenueshme.
Në këtë numër, revista solli një pasqyrë të detajuar të ndërhyrjeve të projektit HAP ndër vite, si fuqizimi i qeverisjes dhe menaxhimit të kujdesit parësor, përmirësimi i aksesibilitetit dhe cilësisë së jetës, investimet në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, fuqizimi i edukimit të vazhdueshëm mjekësor, fuqizimi i autonomisë profesionale të infermierëve, dhe promovimi i barazisë gjinore.
Ndër arritjet më të rëndësishme të projektit përmendet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në kushte më të mira për 241,463 banorë dhe 400 profesionistë të shëndetësisë falë rindërtimit dhe rehabilitimit të 31 godinave shëndetësore, trajnimi i mbi 2500 mjekëve e infermierëve dhe përfshirja e mbi 4,000 prej tyre në aktivitete të edukimit në vazhdim, si dhe furnizimini i 136 qendrave shëndetësore me çanta mjekësore për mjekë dhe infermierë.
Revista i kushton një vëmendje të veçantë edhe ofrimit të kujdesit shëndetësor në banesë, një ndër ndërhyrjet kyçe të HAP, për mbi 1,400 pacientë kronikë ose të moshuar të invalidizuar, një mbështetje kjo mjaft e rëndësishme për këtë kategori të margjinalizuar që lehtëson barrën e kujdesit për familjarët e tyre.
Nuk mund të mos përmendej edhe impakti i projektit në përmirësimin e standardit të kujdesit shëndetësor përmes prezantimit të protokolleve të reja për sëmundjet jo të transmetueshme, kujdesin ndaj të moshuarve dhe kujdesin për çrregullimet e shëndetit mendor si edhe trajnimin e stafit mjekësor për zbatimin sa më të saktë të këtyre protokolleve në praktikën e përditshme klinike.
Profili i ri i infermierit si një profesionist autonom i shëndetësisë falë trajnimeve të posaçme përmendet gjithashtu si një ndër arritjet e projektit HAP. Ky rol i ri i infermierit ka qenë kyç për riorganizimin e punës në qendra shëndetësore pasi mundësuar shërbime më të specializuara dhe të qasshme për qytetarët në të gjithë vendin.
Pjesë e arritjeve është edhe roli i HAP në promovimin e barazisë duke inkurajuar pjesëmarrjen e grave në rolet vendimmarrëse brenda sistemit shëndetësor dhe duke reduktuar stigmat ndaj meshkujve që kërkojnë shërbime mjekësore.
Revista mbyllet me një intervistë të Menaxherit të Projektit, Z. Besim Nuri dhe dëshmi nga përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit, të cilët theksojnë rolin transformues që projekti ka pasur në shërbimet shëndetësore që u ofrohen qytetarëve nga qendrat shëndetësore.
Me këtë botim kushtuar HAP, Revista e Shëndetit nënvizon rëndësinë e projektit si një shembull frymëzues për zhvillimin e qëndrueshëm të shëndetit publik dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.