Vjeshtë intensive për mjekësinë familjare: Ja trajnimet e realizuara

Muajt shtator-nëntor 2023 kanë mbledhur mjekët dhe infermieret e familjes në trajnime të rëndësishme lidhur me përmirësimin e kujdesit shëndetësor ndaj të moshuarve dhe zbatimin e protokolleve për sëmundjet jo të transmetueshme.

Trajnimi për Kujdesin mjekësor për të moshuarit është një trajnim kyç përballë nevojës në rritje për kujdes të kësaj grupmoshe. Trajnimi  aftëson mjekët dhe infermieret e familjes në zbatimin të udhëzuesve klinikë dhe protokolleve të mjekimit që përmban manuali “Kujdesi mjekësor për të moshuarit në Kujdesin Shëndetësor Parësor” në praktikën e tyre të përditshme.

Trajnimi përfshin diskutimin e rasteve klinike të lidhura me osteoporozën, rrëzimet, demencën, depresionin, inkontinencën urinare, problemet e ushqyerjes dhe peshës, përshkrimin racional të barnave, dhe vlerësimin gjithëpërfshirës geriatrik. Trajnimet u zhvilluan nga Shoqata Ryder Albania me pjesëmarrjen e mjekëve dhe infermiereve të familjes të qendrave shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Berat, Korçë.

Mbështetja e HAP vijon edhe për parandalimin dhe kontrollin më të mirë të sëmundjeve jo të transmetueshme. Në këtë kuadër, janë zhvilluar trajnime për zbatimin e protokolleve të mjekimit për diabetin, hipertensionin (HTA), dislipideminë dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK).

Trajnimet përfshinë njohuri të rëndësishme lidhur me vlerësimin e pacientëve përmes rasteve klinike, diagnozën, ndjekjen dhe monitorimin e rasteve, medikamentet dhe trajtimin hap pas hapi, menaxhimin e rasteve akute, edukimin e pacientëve, konsultën në distancë si edhe treguesit e monitorimit të zbatimit të këtyre protokolleve. Trajnimet u realizuan nga ekspertë të Fondacionit ABC të mobilizuar nga HAP dhe u ofruan për mjekë dhe infermiere familjeje nga qendrat shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër.

Këto trajnime u realizuan sipas modelit të trajnimeve për trajnerë duke i hapur kështu rrugën ngritjes së Grupeve të Kolegëve nëpër qendrat shëndetësore përkatëse me qëllim që pjesëmarrësit t’ua përcjellin njohuritë e marra dhe aftësitë e fitura edhe pjesës së tjetër të ekipit mjekësor.