Thirrje për shërbim konsulence: Forcimi i kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile për Advokim në Shëndetësi

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili po zbatohet nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Tropikale dhe Shëndetit Publik (Swiss TPH) përmes Qendrës HAP. Qëllimi i projektit është që popullsia shqiptare të përfitojë shëndet më të mirë në sajë të shërbimeve të përmirësuara dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor (KSHP).

HAP publikoi thirrjen për propozime nga Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC-të) për advokim në shëndetësi me fokus në KSHP. Bazuar në vlerësimin e bërë, propozimet kanë nevojë për të lidhur më mirë çështjen për advokim dhe aktivitetet, për formulimin e objektivave më të qarta dhe të arritshme, përputhshmërinë ndërmjet objektivit dhe aktiviteteve, etj. Ndaj, HAP synon të mbështesë OSHC-të e përzgjedhura përmes një procesi trajnimi për të ripërpunuar propozimet (rishikimi i objektivave, planeve të aktiviteteve dhe rezultateve, në përputhje me çështjet e advokimit). Për këtë qëllim, HAP kërkon një konsulent për të zhvilluar një proces trajnimi me qëllim rritjen e e kapaciteteve të OSHC-ve si edhe mbështetjen e tyre për ripëpunuar projekt propozimet e advokimit me objektiva të qarta, plane aktivitetesh dhe rezultate të pritshme racionale. Termat e Referencës për këtë konsulence mund të gjenden KËTU.

Aplikantët e interesuar duhet të sjellin dokumentat e mëposhtëm:

·        CV-në e konsulentit, duke theksuar kërkesat në TOR.

·        Një letër interesi, që tregon përvoja specifike të ngjashme sipas TOR.

·        Një propozim financiar (vlerë totale), në lekë, me TVSH (nëse aplikohet) dhe taksa të përfshira për detyrat e mësipërme.

·        Dokumentet e regjistrimit (NIPT, QKB, Vendim Gjykate etj.)

·        Vërtetim për përgjegjësinë tatimore, që tregon nëse aplikanti i nënshtrohet TVSH-së apo jo (lëshuar nga e-Albania)

Dokumentat e aplikimit duhet të dërgohen në zarf të vulosur (në kopje të shtypura dhe të skanuara në një CD/USB ) brenda datës 25 janar 2024, ora 16:00, në adresën:

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Gërmenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.1, Tiranë, Shqipëri

Nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me këtë kërkesë për konsulencë, ju lutemi dërgojini ato me email në adresën info@hap.org.al deri më 22 janar 2024.