Thirrje për: Ofrues shërbimi për mbledhjen e të dhënave për anketën ” Vlerësimi i cilësisë së jetës dhe aksesi në shërbimet e kujdesit në banesë në Shqipëri-2026”

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) përmes Qendrës HAP. Qëllimi i projektit është që popullsia shqiptare të përfitojë shëndet më të mirë në sajë të shërbimeve të përmirësuara dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor.

HAP mbështeti pilotimin dhe zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë për pacientët që nuk mund të shkojnë në shërbimet shëndetësore për shkak të gjendjes shëndetësore. Kjo mbështetje është realizuar në 150 qendra shëndetësore në 20 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSH). Në këtë kuadër, HAP kërkon një ofrues shërbimi (kompani/OJF) për mbledhjen e të dhënave, organizimin dhe menaxhimin e logjistikës si dhe për garantimin  dhe sigurimin e cilësisë së mbledhjes së të dhënave për anketën ” Vlerësimi i cilësisë së jetës dhe aksesi në shërbimet e kujdesit në banesë në Shqipëri-2026”, duke ndjekur me përpikmëri Termat e Referencës të cilat mund të gjenden KËTU.

Ofertuesit për këtë shërbim duhet të dorëzojnë pranë Qendrës HAP dokumentat e mëposhtëm:

  • CV e kompanisë/OJF-së, në të cilën të dëshmohen eksperiencat e mëparshme në kërkime, (preferohen studime të zbatuara në komunitet), përfshirë mbledhjen elektronike të të dhënave përmes përdorimit të tabletave
  • Planin e aktiviteteve dhe logjistikën për arritjen e objektivave të listuara në Termat e Referencës.
  • CV të stafit kryesor sipas pozicioneve të përcaktuara në terma (CV të koordinatorit të terrenit, menaxherit të të dhënave, dhe supervizorëve të terrenit).
  • Ofertën financiare në Lek, TVSH =0*[1], sipas Aneksit A, të këtij njoftimi, të cilin mund ta shkarkoni në Word dhe PDF. Të gjitha shpenzimet që lidhen me personelin e përfshirë, kostot e transportit, kostot logjistike dhe administrative duhet të përfshihen në ofertën financiare. Për llogaritjen e kostos së transportit, kini parasysh se 40% e zonave rurale (ku duhet të mblidhen të dhënat) janë në distancën më të largët nga Njësitë e Qeverisjes Vendore përkatëse.Oferta financiare duhet të dorëzohet në një zarf të veçantë.
  • Dokumentat e regjistrimit (NIPT, Ekstrakt QKB, etj.)
  • Një dokument nga e-Albania që dëshmon se (subjekti juaj):
    • ka përmbushur detyrimet fiskale,
    • ka paguar të gjitha kontributet shoqërore,
    • si dhe vërtetimin për xhiron vjetore të 3 viteve të fundit

Oferta financiare dhe teknike duhet të jenë në zarfa të ndarë dhe të dyja të futen në një zarf të vulosur. Dokumentat e aplikimit duhet të dërgohen në zarf të vulosur (në kopje të shtypura dhe të skanuara në një CD/USB ) brenda datës 2 shkurt, ora 16:00, në adresën:

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Germenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.5, Tiranë, Shqipëri

Vlerësimi do të ndahet: 70% vlerësim teknik dhe 30% vlerësim financiar.

[1] Në përputhje me Udhëzimin Nr. 6, datë 30.01.2015, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, siç është ndryshuar (së fundmi me Udhëzimin Nr. 6, datë 24.02.2025), Neni 63/1, të gjithë furnizuesit e mallrave dhe shërbimeve në kuadër të Projektit HAP janë të detyruar të lëshojnë fatura me TVSH 0.