Muaji tetor shënoi përfundimin e trajnimeve për psikologët dhe punonjësit socialë në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP), duke shënuar një hap të mëtejshëm në mbështetjen për forcimin e shërbimeve psikosociale dhe ofrimin e një kujdesi më të integruar ndaj nevojave të pacientëve.
Trajnimet u zhvilluan në kuadër të mbështetjes së HAP-it për zbatimin në praktikë të dy manualeve profesionale të hartuara me mbështetjen e projektit dhe të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale: Manualit të Psikologut në Kujdesin Shëndetësor Parësor dhe Manualit Praktik të Punonjësit Social në Kujdesin Shëndetësor Parësor.
Trajnimi treditor për psikologët përfshiu profesionistë nga qendrat socio-shëndetësore dhe njësitë e shëndetit mendor të 11 Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH). Program i trajnimit u përqendrua në vlerësimin psikologjik, ndërhyrjet e shkurtra, menaxhimin e rasteve, mekanizmat e referimit, bashkëpunimin në ekipet multidisiplinare, etikën profesionale dhe vetëkujdesin.
Ndërkohë, në programin e trajnimit për punonjësit socialë morën pjesë profesionistë nga 28 qendra shëndetësore në 14 NJVKSH. I mbështetur në Manualin Praktik të Punonjësit Social, trajnimi treditor synoi forcimin e aftësive për vlerësimin biopsikosocial, menaxhimin e rasteve, ndërhyrjet psikosociale, referimin dhe bashkëpunimin ndërprofesional, me vëmendje të veçantë ndaj individëve dhe familjeve në situata vulnerabiliteti.
69 profesionistë të shërbimeve psikosociale morën pjesë në këto trajnime.
Të dyja programet ndërthurën njohuritë teorike me ushtrime praktike, diskutime në grup dhe analiza rastesh, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të njihen më nga afër me instrumentet e manualeve dhe përdorimin e tyre në punën e përditshme.
Këto trajnime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve psikosociale në KSHP dhe identifikimin dhe trajtimin më të mirë të nevojave të ndërthurura shëndetësore, psikologjike dhe sociale të pacientëve, përmes një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë.