Përfundojnë trajnimet për Menaxhimin e Shëndetit Mendor në KSHP

Kanë përfunduar me sukses trajnimet për trajnerë të mjekëve, infermierëve, punonjësve socialë dhe psikologëve të familjes të 29 qendrave shëndetësore në Durrës, Elbasan, Fier, Burrel, Korçë, Shkodër mbi “Përdorimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor”.

Qëllimi i këtyre trajnimeve për trajnerë ishte aftësimi i pjesëmarrëve për përdorimin e udhëzuesit për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor dhe instrumenteve klinikë përkatës dhe, më tej, përcjelljen e këtyre njohurive dhe aftësive kolegëve të tyre në nivel qendre shëndetësore në formën e Grupit të Kolegëve.

Gjatë trajnimit u trajtuan parimet kryesore të kujdesit për personat me çrregullime të shëndetit mendor duke u përqendruar konkretisht në stresin akut, pikëllimin, depresionin, skizofreninë, përdorimin e dëmshëm të alkoolit dhe drogave, vetëvrasjen dhe sjelljet e tjera dëmtuese. Pjesëmarrësit trajtuan raste klinike për secilën situatë duke u angazhuar në lojë me role, diskutime në grupe të vogla e prezantime në grupe të mëdha duke nxitur kështu pyetje-përgjigje si edhe sqarime e diskutime të mëtejshme mbi përdorimin e instrumenteve klinike të nevojshme për secilin rast.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit ishte edhe aftësimi i pjesëmarrësve për ngritjen e Grupit të Kolegëve në qendrat shëndetësore përkatëse ku përfshihet prezantimi i dokumenteve për aplikim si Kalendari i Takimeve; Formulari i Aplikimit, Formulari i Vlerësimit, Certifikata, Linku për materialet e trajnimit, Model CV-je. Përmes ngritjes së Grupeve të Kolegëve, mundësohet edhe realizimi i mëtejshëm i trajnimit për pjesën tjetër të mjekëve dhe infemiereve të familjes, punonjësve socialë e psikologëve që punojnë në këto qendra shëndetësore.

Trajnimi u ofrua në bashkëpunim me Qendrën Analitica dhe të trajnerëve të saj Dr. Neli Demi dhe Msc. Sonila Meçaj.