Komiteti Drejtues Miraton Ndërhyrjet dhe Aktivitetet e Fazës së Konsolidimit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale miratoi në mars 2023 dokumentin e projektit HAP per Fazën e Konsolidimit, që do të zbatohet nga 1 Prill 2023 deri në 31 mars 2027.   Më 26 prill, 2023 u mbajt mbledhja e 16-të e Komitetit Drejtues të HAP. Gjatë takimit u diskutuan arritjet e fazës së dytë të projektit dhe u miratua plani vjetor i aktiviteteve për fazën e konsolidimit (prill 2023-mars 2024), aktivitete këto të diskutuara paraprakisht gjatë Seminarit Vjetor të Planifikimit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të  Ambasadës Zvicerane, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe autoriteteve të tjera shëndetësore kombëtare, Organizatës Botërore të Shëndetit, Urdhrit të Infermierit, Universitetit të Mjekësisë, Shoqatës së Kujdesit Shëndetësor Familjar dhe Bashkisë Mat, të cilët vlerësuan rezultatet e arritura dhe shprehën mbështetjen dhe angazhimin e tyre në zbatimin e aktiviteteve të HAP në vijimësi.

Mbledhja e Komitetit Drejtues u mbyll me miratimin e Planit Vjetor të Aktiviteteve për periudhën prill 2023 – mars 2024.

Faza e konsolidimit të HAP do të zbatohet në periudhën 2023-2027 në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e saj të varësisë dhe do të përqendrohet në realizimin e tetë objektivave kyçe të cilat synojnë fuqizimin e autoriteteve kombëtare shëndetësore për menaxhimin më me efikasitet të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit në shtëpi si edhe përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve shëndetësore-sociale dhe të cilësisë së ofrimit të tyre për popullsinë shqiptare.

Më konkretisht, HAP  do të mbështesë shtrirjen e modeleve të reja të kujdesit shëndetësor parësor në shkallë vendi, zbatimin dhe zgjerimin e kujdesit shëndetësor në banesë, përfshirjen e lëndëve të kujdesit për të moshuarit në kurrikulën e universitetit të mjekësisë dhe të trajnimeve pas diplomimit, advokimin dhe përmirësimin e politikëbërjes në sistemin shëndetësor, zhvillimin e zgjidhjeve shëndetësore digjitale, shtrirjen gjeografike të përdorimit të protokolleve dhe udhëzuesve klinikë për SJT-të, , ofrimin e shërbimit të përmirësuar shëndetësor për grupet e cenueshme etj.

Për më tepër, ju ftojmë të shfletoni broshurën informuese.