Integrimi i shërbimeve psiko-sociale në Kujdesin Shëndetësor Parësor në fokus të forumit të kapitalizimit të HAP

Më 10 qershor 2026, Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) organizoi forumin e diskutimit me temë “Integrimi i shërbimeve psiko-sociale në Kujdesin Shëndetësor Parësor – Drejt përmbushjes së nevojave mjekësore, psikologjike dhe sociale të qytetarëve”, në kuadër të procesit të kapitalizimit të përvojave dhe njohurive të krijuara gjatë zbatimit të projektit.

Forumi mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Fondit të Sigurimit Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, qendrave shëndetësore, profesionistë të shëndetit dhe partnerë të tjerë institucionalë për të reflektuar mbi progresin, sfidat dhe perspektivat e integrimit të shërbimeve psiko-sociale në Kujdesin Shëndetësor Parësor.

Gjatë viteve të fundit, HAP ka mbështetur fuqizimin e ekipeve ndërprofesionale socio-shëndetësore përmes një sërë ndërhyrjesh, duke përfshirë hartimin e profileve profesionale të psikologut dhe punonjësit social në KSHP, zhvillimin dhe miratimin e manualeve përkatëse, si dhe hartimin dhe zbatimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Çrregullimeve të Shëndetit Mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor. Projekti ka mbështetur trajnime dhe Grupe Kolegësh për zbatimin e këtij udhëzuesi në praktikën e përditshme të ekipeve të KSHP-së, ndërsa trajnimet për përdorimin e Manualit të Psikologut dhe Manualit Praktik të Punonjësit Social janë aktualisht në proces. Një kontribut i rëndësishëm i projektit në ofrimin e shërbimeve të integruara, është edhe mbështetja për inventarizimin e rrjeteve lokale të shërbimeve socio-shëndetësore në gjashtë bashki për të lehtësuar referimin e pacientëve drejt shërbimeve plotësuese.

Diskutimet në panel dhe dëshmitë e profesionistëve të terrenit evidentuan vlerën e bashkëpunimit ndërmjet mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë në identifikimin e hershëm të nevojave, menaxhimin e rasteve komplekse dhe përmirësimin e aksesit të grupeve vulnerabël ndaj shërbimeve të nevojshme.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte prezantimi i videodëshmive nga ofrues të shërbimeve të integruara psiko-sociale në KSHP, të cilat sollën perspektiva konkrete mbi ndikimin e këtyre ndërhyrjeve në praktikën profesionale dhe në jetën e pacientëve.

Kontributet dhe reflektimet e ndara gjatë forumit do të shërbejnë si pjesë e procesit të kapitalizimit të HAP, me synimin për të nxjerrë mësime, për të identifikuar praktikat më të mira dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të integruara socio-shëndetësore në Shqipëri.

🎥 Ndiqni videon me dëshmitë e profesionistëve: https://bit.ly/3S3oX1d