Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) mbështeti realizimin e episodit të parë të programit televiziv “Punë pa Teka”, një nismë e re e transmetuar nga Top Channel që synon të njohë të rinjtë me profesione të ndryshme përmes përvojave të jetës reale dhe t’i ndihmojë ata të marrin vendime të mirëinformuara për karrierën e tyre në të ardhmen.
Episodi i parë, i transmetuar në orarin kryesor (prime time), u fokusua tek profesioni i infermierit dhe u xhirua në Qendrën Shëndetësore Dajç në Shkodër, si dhe në banesat e pacientëve që përfitojnë nga shërbimet e kujdesit në banesë. Përmes punës së përditshme të profesionistëve shëndetësorë, programi u ofroi shikuesve një vështrim më nga afër mbi rolin thelbësor të infermierëve në ofrimin e një kujdesi human, të vazhdueshëm dhe të orientuar ndaj pacientit brenda komunitetit.
Ky episod vuri gjithashtu në dukje zhvillimin e shërbimeve të kujdesit në banesë në Shqipëri, një model novator i prezantuar dhe i zgjeruar me mbështetjen e Projektit „Shëndet për të Gjithë“ në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ai shfaqi aftësitë profesionale, përkushtimin dhe sfidat me të cilat përballen infermierët dhe mjekët e familjes gjatë ofrimit të kujdesit për pacientët vulnerabël jashtë mjediseve tradicionale të qendrave shëndetësore.
Përmes mbështetjes së kësaj nisme, HAP-i kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit për profesionin e infermierit dhe në promovimin e rëndësisë së tij brenda sistemit të kujdesit shëndetësor parësor. Kjo gjithashtu përforcon përpjekjet më të gjera të projektit për fuqizimin e forcës punëtore të infermierisë, përfshirë mbështetjen për arsimimin profesional të avancuar dhe zhvillimin e kompetencave të reja për infermierët.