HAP zhvillon forum diskutimi mbi ecurinë e zbatimit të kujdesit shëndetësor në banesë

Më 6 dhjetor HAP organizoi forumin “Përvoja e zbatimit të kujdesit shëndetësor në banesë në Shqipëri”.

Forumi mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Ambasadës së Zvicrës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si edhe drejtorët e qendrave shëndetësore ku zbatohet kujdesi në banesë dhe koordinatorët përkatës.

Gjatë takimit u diskutuan sukseset dhe sfidat e zbatimit të këtij shërbimi nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Dibër, Korçë, dhe Berat.

Rritja profesionale e infermiereve, përmirësimi i aksesibilitetit të të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë ndaj shërbimit shëndetësor, ofrimi i shërbimit në mënyrë periodike dhe të standardizuar, dokumentimi dhe raportimi i shërbimit si edhe trajnimet dhe pajisjet e ofruara u përmendën si suksese të rëndësishme në zbatimin e këtij shërbimi me mbështetjen e HAP.

Gjithsesi, sfidat që mbeten për t’u adresuar janë të shumëfishta, të tilla si vështirësitë e riorganizimit të punës për planifikimin e këtij shërbimi (koha në dispozicion apo numri i ulët i infermierëve), raportimi i dyfishtë në Fond dhe Operator, vështirësitë që hasin specialistët e NJVKSH-ve gjatë monitorimit të personelit që e ofron KSHB-në, ndërtimi i kapaciteteve të Operatorit dhe NJVKSH-ve për të vijuar shtrirjen e Kujdesit në Banesë, vështirësitë e mbulimit me transport për personelin që ofron KSHB, si edhe vështirësitë për t’u shërbyer disa kategorive të popullatës si pacientët me ҫrregullime të shëndetit mendor dhe ata që kanë nevojë për kujdes paliativ.

Në mbylljen e forumit pjesëmarrësit hodhën ide mbi rrugëzgjidhjet e mundshme të sfidave të përmendura, përmirësimin e mëtejshëm të modelit te kujdesit në banesë dhe krijimin e kushteve të tjera të nevojshme për zbatimin më të mirë dhe shtrirjen e mëtejshme të këtij shërbimi në shërbim të popullatës në nevojë.