
Shoqata “Together for Life” organizoi më 12 dhjetor 2024 një tryezë të rrumbullakët me temë “Sigurimi i Qëndrueshmërisë së Shërbimeve Shëndetësore në Banesë për të Moshuarit, nëpërmjet Buxhetimit të Dedikuar”. Aktiviteti u zhvillua në Hotel Tirana International, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave jofitimprurëse dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Tryeza e diskutimit kishte për qëllim të nxirrte në pah sfidat me të cilat përballen të moshuarit me kufizime të lëvizshmërisë, duke theksuar nevojën për buxhetim të dedikuar për shërbimet shëndetësore në banesë. Gjatë prezantimit të raportit të ekspertëve, u evidentuan mangësi në zbatimin e politikave aktuale dhe u diskutuan rekomandime konkrete për përmirësimin e sistemit të kujdesit në banesë.
Në tryezë e mbajtën fjalën personalitete të rëndësishme, përfshirë Znj. Albana Kociu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Znj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri. Në diskutimet që pasuan dhanë kontribut të rëndësishëm me ekspertizën e tyre Dr. Besim Nuri, Menaxher i Projektit HAP, znj. Jeta Deda, Drejtoreshë e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Dr. Albani Ylli, Shoqata Shqiptare e Gerontologjisë, znj. Blerina Duka, Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë.
Diskutimet nxorën në pah nevojën për një qasje më të qëndrueshme në financimin e shërbimeve në banesë, për përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe për gjetjen e mekanizmave për motivimin e infermierëve për realizimin e këtij shërbimi të ri.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Të moshuarit me pamundësi lëvizjeje gëzojnë të drejtat themelore për një jetë dinjitoze”, zbatuar nga TFL me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit HAP në kuadrin e mbështetjes së advokacisë në shëndetësi, veçanërisht për grupet vulnerabël.