HAP merr pjesë në konferenca ndërkombëtare të shëndetit

Lozanë, Zvicër — Konferenca Zvicerane e Shëndetit Publik 2023, që u mbajt në Lozanë më 12-13 shtator, shërbeu si një platformë e rëndësishme diskutimesh të cilat rikthyen vëmendjen tek marrëdhënia kritike ndërmjet shëndetit publik dhe kujdesit shëndetësor parësor.

Këtë vit konferenca kishte si temë qendrore “Public Health and Primary Care: Stronger Together” duke theksuar rolin e kujdesit parësor, si gur themeli i sistemit shëndetësor, përballë nevojave të një popullsie në plakje që po përballet me një rritje të sëmundjeve kronike.

Sfidat e shëndetësisë shqiptare dhe mbështetja e Projektit HAP për përmirësimin e aksesibilitetit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri u sollën përpara kësaj audience përmes prezantimit të Menaxherit të Projektit HAP, Dr. Besim Nuri, “Home and Social Care for People Living with NCDs in Albania”.

Prezantimi ishte pjesë e workshop-it “Primary Health Care and NCD-s in Eastern Europe: Where do we stand and where to go?” i organizuar nga Prof. Kaspar Wyss, Drejtor i Projektit HAP dhe, njëkohësisht, zv. Drejtor i Institutit Zviceran të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH), zbatuesi i Projektit HAP në Shqipëri.

Prishtinë, Kosovë — Dy javë më vonë gjendemi në Simpoziumin Ndërkombëtar për Sëmundjet Jo të Transmetueshme (SJT) që u mbajt në Kosovë në datat 27-29 shtator.

Simpoziumi mblodhi rreth 500 pjesëmarrës e folës të njohur ndërkombëtarë dhe kishte në qendër shkëmbimin e praktikave më të mira dhe nxjerrjen e mësimeve e rekomandimeve për menaxhimin më të mirë të SJT-ve.

Këtë herë, Prof. Kaspar Wyss solli një vështrim global mbi kontrollin e SJT-ve duke theksuar nevojën për forcimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e shëndetit publik.

Ndërkohë, prezantimi i Dr. Besim Nurit, “Përmirësimi i aksesibilitetit dhe cilësisë së shërbimeve për personat me sëmundje kronike në Shqipëri”, theksoi aktivitetet dhe arritjet e HAP për parandalimin dhe kontrollin më të mirë të SJT-ve në vend.

Të dy këto evente të rëndësishme ndërkombëtare shërbyen si një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar e shkëmbyer qasje e rrugëzgjidhje të reja ndaj sfidave të përbashkëta me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për të gjithë.