HAP merr mirënjohje për arritjet në Mbledhjen e Komitetit Drejtues

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Drejtues të Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP), e cila u mbajt në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) më 24 nëntor, palët kryesore të projektit u mblodhën për të shqyrtuar e diskutuar ecurinë e aktiviteteve të HAP gjatë gjashtëmujorit të parë të Vitit të Parë të Fazës së Konsolidimit, pra nga prilli deri në shtator 2023.

Në fjalën e hapjes, zv. Ministrja e MShMS-së, Denada Seferi, shprehu mirënjohje për arritjet e HAP, duke theksuar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të planifikuara për periudhën e raportimit. Seferi theksoi bashkëpunimin midis MShMS-së dhe HAP, veçanërisht në sigurimin e shërbimeve të kujdesit në banesë në 50 Qendra Shëndetësore. Gjithashtu, duke vlerësuar kontributin e HAP për standardizimin e shërbimit shëndetësor përmes zhvillimit të protokolleve dhe udhëzuesve klinikë, znj. Seferi nënvizoi nevojën për një qasje më holistike ndaj grupeve të cenueshme që marrin shërbime shëndetësore në shtëpi.

Përfaqësuesja e Ambasadës Zvicerane, Sabine Piccard, theksoi se objektivat e fazës së konsolidimit të HAP përputhen plotësisht me strategjinë e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP). Ajo vlerësoi rolin drejtues të MShMS-së dhe theksoi rëndësinë e institucionit për sigurimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve përtej kohëzgjatjes së HAP. Piccard shtoi se zgjerimi i shërbimeve të kujdesit në banesë në 8 rajone të reja përputhet me prioritetet e BE-së për sektorin shëndetësor në Shqipëri për qasje të barabartë të grupeve të cenueshme të popullsisë ndaj shërbimeve shëndetësore.

Menaxheri i Projektit, Besim Nuri, prezantoi aktivitetet kryesore të projektit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të parë të fazës së konsolidimit si edhe aktivitetet e planifikuara për periudhën e mbetur, dhjetor 2023-mars 2024, duke u ndalur veçanërisht në kujdesin në banesë, protokollet për sëmundjet jo të transmetueshme (SJT) dhe Grupet e Kolegëve si formë e edukimit të vazhdim për profesionistët e mjekësisë.

Në diskutimet që pasuan u fol ndër të tjera mbi sfidat e shtrirjes së shërbimeve në shkallë kombëtare, koordinimin mes institucioneve kryesore të shëndetit dhe shoqërisë civile, qëndrueshmërinë financiare të kujdesit shëndetësor në banesë, dhe integrimin e shërbimit shëndetësor me atë social dhe psikologjik.

Në mbyllje, përfaqësuesja e Ambasadës Zvicerane, Sabine Piccard,  ritheksoi se MShMS dhe institucionet e saj të varësisë do të kenë rol drejtues gjatë fazës së konsolidimit të HAP dhe se Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) pret planin e veprimit për shtrirjen e shërbimeve të reja me qëllim që t’u përgjgjet prioriteve kombëtare dhe të mundësojë burimet financiare dhe njerëzore për realizimin e tyre.

Mbledhja e 17 e Komitetit Drejtues përfundoi me njohjen kolektive të arritjeve të HAP dhe angazhimin për bashkëpunim dhe koordinim të mëtejshëm për zbatimin e suksesshëm të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri.

Takimi i radhës i Komitetit Drejtues u ra dakord të mbahet në prill të vitit të ardhshëm.